Bota

Vdekjet nga kokaina u rritën me 30% në Mbretërinë e Bashkuar!

Vdekjet nga përdorimi i kokainës të regjistruara në Angli dhe Uells janë rritur me 30% në një vit, sipas shifrave të fundit zyrtare. “Numri i përgjithshëm i vdekjeve të regjistruara nga droga arriti një rekord të ri vitin e kaluar”, sipas Zyrës për Statistikat Kombëtare (ONS). Në vitin 2023, u regjistruan 1 118 vdekje të lidhura me kokainën, që përbën një të pestën e të gjitha vdekjeve nga helmimi nga droga. Kjo ishte 30,5% më shumë se një vit më parë, kur kishin ndodhur 857 vdekje dhe gati 10 herë më shumë se në vitin 2011, kur u regjistruan 112 vdekje.

Rritja u përshkrua nga një organizatë bamirëse si alarmante dhe tha se ishte “jetike që shërbimet të ofrojnë këshilla dhe mbështetje” për njerëzit. ”Gjatë dekadës së fundit, kokaina ka qenë vazhdimisht droga e dytë më e përdorur, pas kanabisit, në Angli dhe Uells”, theksoi ONS. Burrat përbënin gati tetë në 10 (79.2%) të vdekjeve të lidhura me kokainën të regjistruara vitin e kaluar, ose 886 burra krahasuar me 232 gra. Në të dy vendet, 5 448 vdekje të lidhura me helmimin nga droga u regjistruan në vitin 2023, për të cilat ONS tha se barazohej me 93 vdekje për një milion njerëz dhe është numri më i lartë që nga fillimi i regjistrimeve në 1993.

Ndërkaq, një koktejl drogash sintetike e njohur si kokaina rozë është kthyer në shqetësim të madh në Spanjë, Britani dhe gjetkë. Në fillim të këtij muaji, autoritetet spanjolle sekuestruan sasinë më të madhe të drogës sintetike në historinë e tyre, ku përfshihej kokaina rozë dhe një milion pilula ekstazi. Kjo substancë e rrezikshme lidhet me rritjen e numrit të vdekjeve të shkaktuara nga droga. Kokaina rozë nuk përmban domosdoshmërish kokainë. Zakonisht është një përzierje e disa substancave të tjera, si MDMA, ketamina dhe 2C-B. MDMA, e njohur gjerësisht si ekstazi, është një stimulues me veti psikodelike, ndërsa ketamina është një anestetik i fuqishëm që ka efekte qetësuese dhe halucinogjene.

Drogat 2C klasifikohen si psikedelikë, por mund të kenë edhe efekte stimuluese. Kokaina rozë, që zakonisht gjendet në formë pluhuri ose pilule, njihet për ngjyrën e saj të fortë, e krijuar posaçërisht për të tërhequr vizualisht. Ajo ngjyroset me ngjyrues ushqimore dhe ndonjëherë i hidhet aromë luleshtrydhe ose aromatizues të tjerë. Forma origjinale psikodelike e drogës daton në vitin 1974 dhe u sintetizua për herë të parë nga biokimisti amerikan Alexander Shulgin. Por varianti modern u shfaq rreth vitit 2010 në Kolumbi dhe është një imitim.