Aktualitet

Vdekja e Gerti Bogdanit, reagimi i politikës!

Kryeministri Edi Rama reagoi duke i shprehur ngushëllime familjes për ndarjen e parakohshme nga jeta të Gerti Bogdanit. Në një postim në Facebook, shefi i qeverisë shkruan:

Keqardhje për ndarjen kaq të parakohshme nga jeta dhe ngushëllime bashkëshortes e familjes Bogdani!

Për vdekjen e ish-deputetit demokrat, i cili rreth mesdite pësoi arrest kardiak e në spital u dërgua pa shenja jete foli edhe Sali Berisha. Kryetari demokrat iu referua Bogdanit si një nga personalitetet e reja të PD-së, më të njohura e më të shquara.

Ky është një lajm shokues. Gerti Bogdani ka qenë dhe do të mbetet në memorien time, njëri nga personalitetet e reja të PD-së më të njohura, më të shquara. Ka qenë një politikan demokrat, me civilitet, me formim me përgatitje, me ndershmëri, me urtësi, në shkallën më të lartë. Kjo është një humbje e madhe për PD-në, por është një humbje e vërtetë për shoqërinë shqiptare. Gerti Bogdani ishte nga ata të rinj, pasardhës i një familje të shkëlqyer, të rreshtuar që në fillime me PD-në.

I shkolluar me rezultatet më të larta në shkollat më të mira të SHBA-ve, midis një të ardhmeje në vendin ku u shkollua, ku kaloi vitet e rinisë studentore, si dhe kontributet për vendin e tij e PD-në, zgjodhi këto të fundit. Ky lajm shokues për mua dhe çdo demokrate e demokrat, por edhe çdo qytetare e qytetar që e ka njohur Gerti Bogdanin, më erdhi në këtë moment si rrufe në qiell të hapur.

Dy netë më parë e kam ndjekur në një studio televizive. Mendoj se në rast se ka një njeri që njoh unë, i cili tek çdo qytetare dhe qytetar, mik, shok i njohur ka lënë vetëm përshtypje pozitive në çdo takim, në çdo komunikim, ky është Gerti Bogdani, ndaj dhe ju ftoj të ngrihemi dhe të mbajmë 1 minutë heshtje për kujtimin e ndritur të këtij personaliteti të shquar, të ri, të PD-së.

I paharruar kujtimi i tij!

Mesazhet e ngushëllimit vazhdojnë të vijnë nga emra të ndryshëm të politikës nga opozita e maxhoranca. Më herët, policia e Tiranës doli me një njoftim për ndarjen nga jeta të Gerti Bogdanit në moshën 44 vjeçare.

Më datë 18.09.2024, rreth orës 11:30, në ambientet e një hoteli në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, është gjetur pa ndjenja shtetasi Gerti Bogdani, 44 vjeç. Ky shtetas është transportuar në spital për ndihmë mjekësore, por ka ndërruar jetë. Nga veprimet e kryera paraprakisht dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale.

Gerti Bogdani, baba i dy fëmijëve ishte i martuar me aktivisten e njohur Edlira Çepani.