Aktualitet

Vdekja e dy ukrainaseve në Tiranë, ushtronin prostitucion në Mal të Zi!

Hetuesit kanë dyshime të forta se dy ukrainaset që pak ditë më parë gjetën vdekjen në Tiranë nga mbidoza e ilaçeve, Antonina Kozachenko e Anastasia Lopukhova ishin pjesë e një grupi eskortash në Tiranë dhe Mal të Zi.

Referuar dëshmisë së dytë të shoqes së tyre, Yeva Vorona, tre vajzat ofronin shërbime seksuale kundrejt pagesës, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Malin e Zi. Sipas saj, dy ukrainaset të moshave 25 dhe 40 vjeçe kishin ardhur për pushime në Tiranë.

Por, grupi hetimor ka dyshime se ky aktivitet ushtrohej dhe në Tiranë, pasi Yeva Vorona kishte katër muaj që ndodhej në kryeqytetin tonë. Referuar sistemit TIMS, rezulton se ajo ka udhëtuar disa herë drejt Malit të Zi. Ndërkohë, telefonat e dy viktimave iu dërguan laboratorit të Policisë Shkencore për të zbërthyer komunikimet e fundit.

Në fundjavë u zbardh dëshmia e dhënë në Policinë e Tiranës nga shoqja e dy shtetaseve nga Ukraina të cilat u gjetën të pajeta brenda një apartamenti në kryeqytet. Para oficerëve të Policisë Gjyqësore, shtetasja Yeva Vorona, e cila jetonte në të njëjtën banesë me Antonina Kozachenkon e Anastasia Lopukhovën, bëri të ditur se të enjten në mbrëmje, të treja së bashku kanë qenë në një club nate ku dhe kanë qëndruar deri rreth orës 02:00 të mëngjesit të së premtes, 10 maj 2024.

Vorona tregoi se shoqet e saj konsumuan vetëm alkool dhe se kur u kthyen në shtëpi, ajo u shtri direkt për të fjetur.

Dy shoqet e mia kanë qenë në dhomën tjetër të apartamentit.

Ndër të tjera, tregoi se ajo vetë është përdoruese e një medikamenti të quajtur “Tramadol”, për të qetësuar dhimbjet. Sipas Yevas, që prej ardhjes në Tiranë, dy shoqet e saj kishin nisur të konsumonin sasi të lartë të këtij medikamenti. Më tej, tha se sapo u zgjua nga gjumi pa dy shoqet e saj të shtrira pranë njëra-tjetrës dhe pa shenja jete.

Erdhën në Shqipëri për pushime. Të enjten në mbrëmje, deri në orën 02:00 të mëngjesit të së premtes, që të treja kemi konsumuar alkool në një club nate në Tiranë. Vajzat kanë pirë edhe qetësues “Tramadol” dhe një medikament tjetër në formë tretësire e që nuk e di se çfarë ishte. Kemi qëndruar në dhoma të ndara. Kur u zgjova i kam parë pa jetë dhe njoftova policinë.