Bota

Vazhdon presioni për t’u tërhequr, Biden mund të mbetet pa donatorë!

Presidenti Biden po përballet me presionin e disa donatorëve të mëdhenj demokratë, pas shumë kritikave në lidhje me fushatën për rizgjedhje në nëntor. Sipas BBC-së, stafi i tij po përballet me kërcënime e paralajmërime publike për ndalim të mbështetjes financiare nëse Biden nuk zëvendësohet. Hapi pason performancën katastrofike të Bidenit në debatin me Donald Trumpin, javën e kaluar.

Mes donatorëve janë Abigail Disney, një trashëgimtare e pasurisë së familjes “Disney”, producenti i Hollivudit, Damon Lindelof, agjenti i Hollivudit, Ari Emanuel dhe filantropi e sipërmarrësi, Gideon Stein. Biden po kërkon të mbështesë kandidaturën e tij këtë fundjavë, duke përfshirë një intervistë të rrallë televizive në “prime time”, sot, si dhe një takim në Wisconsin.

Presioni mbi Bidenin, 81 vjeç, për t’u larguar është rritur pas debatit me rivalin e tij Donald Trump ku në disa raste ai humbi mendjen dhe ishte i pakuptueshëm. Po ashtu, pranoi se kishte “dështuar” atë natë, por u zotua se do të qëndrojë si përfaqësues i partisë së tij kundër Donald Trump-it në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Unë nuk do të shkoj askund, tha dje Biden në një mbledhje në Shtëpinë e Bardhë me rastin e 4 korrikut, Ditës së Pavarësisë në SHBA. Abigail Disney u shpreh për CNBC se ajo nuk besonte se Biden mund të fitonte kundër Trumpit në nëntor.

Ajo theksoi se qëllimi i saj për të tërhequr mbështetjen ishte i rrënjosur në “realizëm, jo ​​në mungesë respekti”.

Biden është një njeri i mirë dhe i ka shërbyer vendit të tij në mënyrë të admirueshme, por rrezikshmëria për të humbur është e lartë.

Disney ka mbështetur një numër demokratësh dhe kauzash demokrate ndër vite.

Nëse Biden nuk tërhiqet, demokratët do të humbasin. Për këtë jam absolutisht e sigurt. Pasojat për humbjen do të jenë vërtet të tmerrshme.

Me paralajmërimin e bërë, iu bashkua një grupi donatorësh të tjerë të pasur. Stein tha për “The New York Times” se familja e tij do të refuzonte të investonte 3,5 milion dollarë për organizatat jofitimprurëse dhe politike aktive në garën presidenciale, nëse Biden nuk tërhiqej.

Lindelof, i cili ka dhuruar më shumë se 100 mijë dollarë për demokratët këtë cikël zgjedhor, shkroi një letër publike duke u kërkuar donatorëve të tjerë të ndalonin fondet e tyre në atë që e quajti “DEMbargo”.