Mes Kosovës e Serbisë, pikat kufitare të Merdarës dhe Bërnjakut vazhdojnë të mbyllura ndërsa e Jarinjës mbetet e bllokuar për qytetarët me dokumente të Republikës së Kosovës. Lajmi konfirmohet në një njoftim nga Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar. Bllokimi pason vendimin e Prishtinës zyrtare lidhur me mbylljen në fund të gushtit të pesë institucioneve paralele serbe.
Fillimisht u mbyll pikëkalimi në Bërnjak, aty ku ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla njoftoi se “grupe ekstremistësh të maskuar, në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit serb kanë ndaluar makinat dhe udhëtarët”.
Një familje kosovare që po udhëtonte për në Gjermani u kthye pas, forcërisht.
Më tej u mbyll pika kufitare në Merdarë. Ministri Sveçla shkroi:
Pas veprimeve të njëjta të ekstremistëve të maskuar serb brenda territorit të Serbisë, që po ndalojnë në mënyrë selektive e me qasje fashiste ndaj qytetarëve që duan të kalojnë tranzit përmes Serbisë dhe gjithë kjo para syve të autoriteteve të Serbisë, mbyllet edhe pika kufitare në Merdarë. Në mbrojtje të jetës dhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë, edhe kjo pikë si ajo në Bërnjak do të jetë e mbyllur deri në ndalim të veprimeve të tilla selektive e fashiste e normalizim të plotë të situatës.
Kryetari serb i të ashtuquajturit Asociacion i Qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës për Kosovën, Rasha Rojeviç bëri të ditur se bllokada organizohet nga shoqatat vendase të qytetarëve nga Kosova. Bllokada filloi në orën 18:00 të një dite më parë e do të zgjasë “derisa të tërhiqen forcat policore të Kosovës nga veriu me shumicë serbe”.
Gjithashtu kërkojmë që KFOR-i të marrë kontrollin e veriut të Kosovës. Bllokadat do të zgjasin derisa të plotësohen kërkesat e qytetarëve.
Tre ditë më parë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) iu bëri thirrje shtetasve të Kosovës dhe emigrantëve kosovarë, t’i shmangin pikëkalimet kufitare mes Kosovës e Serbisë gjatë udhëtimeve të tyre tranzit.