Aktualitet

Vazhdojnë protestat kundër rritjes së çmimeve/Nesër nisin kontrollet për rezervat e naftës!

Protestat kundër rritjes së çmimeve vazhduan edhe sot në vend. Siç kishte paralajmëruar, Sindikata e Taksistëve protestoi para Kryeministrisë e më tej para Bashkisë Tiranë.

Mes kërkesave: të ulet çmimi i karburanteve, të hiqet taksa e akcizës e TVSH-ja për këtë kategori, si edhe të rishikohet neni që i ndalon të marrin pasagjerë në kthim.

Te vendi i quajtur “Pushimi i Shoferit”, fermerë të Lushnjës, Fierit e Divjakës çanë kordonin e policisë dhe të ulur këmbëkryq në mes të rrugës, bllokuan qarkullimin e automjeteve në autostradën Lushnjë-Fier.

Ndërkohë, studentë në Korçë bojkotuan mësimin dhe zhvilluan një marshim në rrugët e qytetit juglindor. Aty protestuan edhe qytetarë që u përplasën me policinë.

Kemi dalë në protestë për shkak të shtrenjtimit të naftës. Duke qenë se shumica e studentëve vijnë nga Pogradeci e Bilishti, bileta është rritur. Kërkojmë uljen e çmimit, pasi studentët e kanë të pamundur që të përballojnë shpenzimet!

Protesta u organizuan edhe nga studentë të Universitetit Bujqësor të Tiranës që bllokuan nënkalimin te Casa Italia.

Në protestat e zhvilluar dje në të gjithë vendin u arrestuan 30 persona, janë në hetim 118 dhe u shpallën në kërkim 15 të tjerë. Ata akuzohen se kanë bllokuar rrugën, duke mos lejuar qarkullimin e mjeteve. Aktivistë të shoqërisë civile kërkojnë lirimin e tyre.

Opozita reagon lidhur me protestat në vend kundër rritjes së çmimeve. Sipas nënkryetares demokrate, Jorida Tabaku, “protesta është rruga e duhur dhe mjeti më i mirë” përballë asaj që e quan “arrogancë e qeverisë”. Në një postim, Tabaku shkruan:

Nafta rritet, çmimet e ushqimeve shtrenjtohen, shqiptarët varfërohen, por Rama mbron oligarkët dhe nuk ul taksat. Me to paguan koncesionet/PPP të oligarkëve që pasurohen në kurriz të shqiptarëve!

Raportohet se këto ditë, të shumtë kanë qenë qytetarët e Shkodrës që i janë drejtuar Malit të Zi për t’u furnizuar me karburante, nisur nga çmimi më i ulët se në vendin tonë.

Nesër nis kontrolli në terren për gjendjen e rezervës së sigurisë së naftës, detyrim ligjor i parashikuar në rastet e krizës. Këtë e bëri të ditur ministrja e Energjisë, Belinda Balluku gjatë takimit në Kryeministri me furnizues të karburanteve. Një VKM e vitit 2004, parashikon detyrimin për ruajtjen e mbajtjen e sasisë së naftës, si dhe sanksionet përkatëse në rastet e mos zbatimit të vendimit. Nga i njëjti takim, kryeministri Rama tha më herët se qeveria hyn në administrimin e furnizimit: kush vendos çmim të pamiratuar, humb pikën e karburantit!

Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba i përgjigjet kritikave për rritjen e çmimit të naftës. Në “Facebook”, Biba shkruan se “Çmimet në treg, nuk i përcakton Autoriteti”. Sipas tij, “është gabim t’i kërkohet llogari këtij Autoriteti në lidhje me çmimin e lartë të naftës në vend”. Biba bën të ditur se institucioni që drejton ka nisur një monitorim të tregut dhe maksimumi që mund të bëjë është t’i vendosë gjoba abuzuesve.