Rajoni

Vazhdojnë kërkimet për të zhdukurit nga vërshimet në Bosnjë!

Në Bosnjë e Hercegovinë ekipet e shpëtimit kanë vazhduar kërkimet për persona të zhdukur, pas vërshimeve vdekjeprurëse. Për shkak të shirave dhe rrëshqitjes së dherave, të enjten dhe të premten, kanë gjetur vdekjen të paktën 13 persona dhe janë lënduar shumë të tjerë. Dymbëdhjetë nga viktimat ishin nga Donja Jabllanica e një nga Konjiçi. Fillimisht u raportuan 16 vetë që kishin ndërruar jetë, por tre prej tyre ishin numëruar nga dy herë dhe sot u saktësua se janë 13 viktima.

Në Jabllanicë konsiderohen të zhdukur gjashtë persona dhe katër të tjerë në Konjiç. Autoritetet në Jabllanicë kanë raportuar për dëme të mëdha materiale. Me makina të larta po punohet për të larguar gurët e rrënojat. Si pasojë e fatkeqësisë natyrore, disa fshatra vazhdojnë të bllokuara për shkak të dëmeve në infrastrukturën rrugore.

Po ashtu, për shkak të vërshimeve, u shty mbajtja e zgjedhjeve lokale në Jabllanicë, Konjiç, Kishelak e Kreshevo. Kështu vendosi sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bosnjë e Hercegovinës. Në Fojnica, votimet janë shtyrë në tri qendra. Mësohet se vendimi për zhvillimin e zgjedhjeve në këto komuna do të merret pasi të plotësohen kushtet për mbajtjen e tyre, siç deklaruan autoritetet.

Zgjedhjet lokale në Bosnjë janë caktuar për nesër, më 6 tetor. Përveç Bosnjës, përmbytjet nga moti i keq nuk kanë kursyer as vendin tonë, Malin e Zi dhe Kroacinë.

Vlora vijon me prezencë uji nga 180 mm shira intensivë. Sasia e një muaji ra në dy orë e gjysmë. Sot situatë e përmirësuar, nis vlerësimi i dëmeve. Kryebashkiaku i Vlorës, Dredha tha se 55 persona u evakuan.

Po shqyrtohet mundësia e mbështetjes financiare për familjet e dëmtuara.

Ndërsa vijon puna për largimin e ujërave nga akset e bllokuara, në disa zona të Vlorës u ndërpre energjia për arsye sigurie.

Në Levan-Vlorë ka prezencë uji pranë rrethrrotullimit të Nartës. Po punohet për largimin e ujërave nga rruga. Në veri ranë gurë e inerte në akset Dushaj-Sheshi i Trageteve-Lekbibaj, Burrel-Klos, Lezhë-Vau Dejës, Bogë-Theth. U bë pastrimi, qarkullimi normal. OSSH, masa që objektet e rëndësisë së veçantë të furnizohen normalisht me energji. 13 fidra jashtë funksionit në vend.

Edhe pas mesdite, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Temperaturat luhaten 12-28 gradë celcius.