Autoritetet spanjolle sot lëshuan edhe një paralajmërim për stuhi për pjesën e rajonit të Valencia, ku një ditë më parë të paktën 95 njerëz humbën jetën nga përmbytjet shkatërruese. Ekipet e shpëtimit janë duke vazhduar kërkimet për një numër të papërcaktuar të njerëzve të zhdukur në fushat dhe makinat e përmbytura. Zyrtarët nuk kanë treguar sa njerëz janë zhdukur, por ministrja e Mbrojtjes e Spanjës, Margarita Robles, tha dje vonë se numri i të vdekurve do të rritet sipas të gjitha gjasave.
Qetësia e motit u rikthye sot në pjesët më të goditura nga përmbytjet më të mëdha në shekullin e fundit në Spanjë përreth qytetit të Valencias por Instituti Meteorologjik i vendit, AEMET, lëshoi alarmin e shkallës më të lartë për provincën Castellon.
Ka stuhi shumë të fuqishme në zonë, sidomos në veri të Castellonit. Moti i keq vazhdon. Kini kujdes! Mos udhëtoni në këtë pjesë të vendit!
Përmbytjet në Valencia shkatërruan infrastrukturën e rajonit, duke prishur ura, rrugë, hekurudha e ndërtesa, pasi lumenjtë dolën nga shtrati. Shërbimi Kombëtar i Motit në Spanjë raportoi se ra më shumë shi në tetë orë në Valencia se në 20 muajt e mëparshëm, duke e quajtur përmbytjen “të jashtëzakonshme”.
E vendosur në jug të Barcelonës në bregdetin e Mesdheut, Valencia është një destinacion turistik i njohur për plazhet e saj dhe pemët e agrumeve. Rajoni ka gryka dhe shtretër lumenjsh të vegjël që gjatë pjesës më të madhe të vitit qëndrojnë plotësisht të tharë, por që mbushen me shpejtësi me ujë kur bie shi. Shumë prej tyre kalojnë përmes zonave të populluara.
Spanja ka përjetuar stuhi të ngjashme gjatë stinës së vjeshtës në vitet e fundit. Asgjë, megjithatë, nuk mund të krahasohet me shkatërrimet e dy ditëve të fundit, të cilat të sjellin në mendje përmbytjet në Gjermani dhe Belgjikë në vitin 2021, me 230 viktima. Numri i të vdekurve mund të rritet ndërsa të tjera rajone vazhdojnë të raportojnë për viktima dhe përpjekjet e kërkimit vazhdojnë aty ku shkohet me vështirësi.