Enkelejd Alibeaj iu shmang betejës në kryeqendrën e veriut Shkodër, duke iu hequr mundësi demokratëve që të votojnë siglën e Partisë Demokratike.
Në veri, e vetmja Bashki ku Partia Demokratike zyrtare do të ketë kandidat është Vau i Dejës, ku një kandidate zonjë, Klomentina Drini, do ketë përballë jo vetëm kundërshtarin socialist Kristian Shkreli, që braktisi postin e nënkryetarit të Bashkisë për karriere kryebashkiaku, por edhe Zef Hilën, që sakrifikoi mandatin e deputetit për të qenë kandidat i Berishës dhe Metës në zgjedhjen e pranverës.
Kandidatja Klomentina Drini që vjen nga fusha e biznesit do kërkojë votat e demokratëve me siglën e Partisë Demokratike duke synuar ta kthejë Bashkinë e Vaut të Dejës blu. Kandidatja demokrate bashkë me dy rivalët e saj Kristian Shkreli dhe Zef Hila ka marrë dritën jeshile nga KZAZ numër 6 në Bashkinë e Vaut të Dejës, që ka pranuar dokumentacion e të tre kandidatëve.
Në garën për këshillat bashkiak situata paraqitet ndryshe, të gjitha partitë e mëdha Partia Socialiste, Social Demokrate, PD zyrtare dhe koalicioni “Bashkë Fitojmë” pretendojnë të bëhen pjesë e parlamentit vendor të Vaut të Dejës, duke depozituar listat e tyre në KZAZ.