Sport

VAR, karton i kuq dhe 3 gola! Dinamo përmbys Vllazninë në minutën e 95-të

Dinamo ka mposhtur 2 me 1 Vllazninë në “Elbasan Arena”. Dhe pse Vllaznia mbylli me avantazh pjesën e parë, të ndeshjes së vlefshme për javën e 7-të të Superiores, dinamovitët përmbysën gjithçka në të dytën.

Gjithçka erdhi pas daljes me karton të kuq të Salës nga Vllaznia, i cili ishte dhe autori i golit për shkodranët në pjesën e parë. Dinamo shënoi fillimisht me Itodo Mandelën në minutën e 79-të, ku i erdhi në ndihmë VAR pasi fillimisht anësori akordoi pozicion jashtëloje.

Më pas Bregu e ktheu në dramë. Lojtari i afruar në merkaton e verës shënoi për 2 me 1 në sekondat e fundit të takimit.  Ndërkohë që janë luajtur 3 nga duelet e kësaj jave, situata për sa i përket renditjes sa vjen dhe bëhet më interesante. Kryeson Vllaznia me 13 pikë, ndërkohë që Partizani i ushtron presion me 1 pikë më pak. Në pozita komode edhe Dinamo me Teutën, që ndajnë vendin e katërt dhe të pestë.  Për sa i përket fundit, tabela mbyllet me Laçin, që ka siguruar vetëm 3 pikë në 7 javë.  Java e shtatë e Superiores, do të ulë siparin ditën e nesërme, kur janë planifikuar të zhvillohen edhe 2 duelet e fundit, Bylis – Elbasani dhe Tirana – Skënderbeu.