Pas takimit me shqiptarët e Athinës, kryeministri Edi Rama ndal sot turin e diasporës në Itali.
Takimi i cili zhvillohet në pallatin e sportit në Busto Arsizio, lokalitet afër qytetit të Milanos, do të nisë në orën 11:00 dhe do të mbledhë emigrantët shqiptarë nga të gjithë qytetet e Italisë në të parin takim të Ramës me bashkëatdhetarët në shtetin fqinj.
Përmes një postimi në Facebook, Rama e ka cilësuar takimin e sot, si “vallja e dytë kuqezi në Europë”.
”MIRËMËNGJES
dhe nga Rinasi ku po nisemi për vallen e dytë kuqezi në Europë, me shqiptarët e Italisë që sipas kërkesës së tyre do t’i mikpresim në një pallat sporti edhe më të madh se në Athinë, me shpresën që askush nuk do të mbetet pa gjetur vend siç fatkeqësisht na ndodhi në Greqi, ju uroj të gjithëve një të diel sa më të mbarë.”, shkruan Rama në postimin e tij.
Rama nisi më 12 maj në Athinë një turne që synon mbledhjen e mbështetjes për Partinë e tij Socialiste edhe në mesin e diasporës shqiptare. Anëtarësime të reja në PS dhe investime në Shqipëri janë qëllime të deklaruara të Ramës. Ndalesa të radhës pas Italisë, pritet të jenë Gjermanina dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Në Athinë ai u takua me mijëra emigrantë, përfaqësuesit e të cilëve thonë se kishin pritje më të mëdha prej tij, në lidhje me disa probleme me të cilat përballen. Në Shqipëri, pushteti e cilësoi takimin si të frytshëm, ndërsa opozita si “propagandë”. Gjatë takimit me emigrantët në një sallë të stadiumit “Galatsi” në kryeqytetin grek, Rama bëri thirrje për një histori të re në marrëdhëniet Shqipëri-Greqi.
Disa muaj më parë Shqipëria e Italia konkretizuan dy marrëveshje të rëndësishme, atë për njohjen e ndërsjelltë të pensioneve, nga e cila do të përfitojnë rreth 500 mijë shqiptarë dhe ajo e nënshkruar me homologen Italiane Melonin për sjelljen e emigrantëve azilkërkues nga vendet e treta, nga Italia në Gjadër të Lezhës, që gjithsesi vijon të shkaktojë polemika.
Pjesë e këtij takimi do të jetë edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Në rrjetet sociale Veliaj ka publikuar fotot nga përgatitjet e fundit teksa është takuar me sipërmarrësit shqiptarë të Lombardisë. Veliaj shprehet se ndihesh krenar kur dëgjon historitë e shqiptarëve të suksesshëm.
Edhe këtë herë Rama mund të japë një mesazh drejtuar politikës dhe medias italiane, pas ‘përplasjeve’ të fundit me median Rai 3, apo me politikanë të opozitës italiane që kanë kundërshtuar marrëveshjen Rama-Meloni për ardhjen e emigrantëve afrikanë në kampin e Gjadrit në Lezhë.