Food & Drink Health & Beauty

“Vaksina” natyrale kundër gripit!

Supa është një nga ushqimet më të mira dhe të shëndetshme për organizmin. Duke qenë se ajo gatuhet me përbërës të shëndetshëm siç janë perimet, mishi i pulës dhe barishtet, ajo është e pasur me vitamina dhe minerale që i nevojiten imunitetit. Nutricionistët, rekomandojnë që konsumi i supave gjatë stinës së virozave dhe gripit të jetë sa më i lartë për të përshpejtuar shërimin.

Supa bimore është pakëz pikante dhe përbërësit e saj përzgjidhen në atë mënyrë që të luftojnë të gjitha problemet shëndetësore që sjell gripi dhe virozat. Hudhra mban larg sëmundjet. Konsumi i saj forcon imunitetin dhe parandalon ardhjen e gripit dhe virozave. Rigoni dhe trumza kanë efekt anti-bakterial dhe forcojnë imunitetin. Vaji esencial i rigonit është më efikasi kundër baktereve.

Kripa e detit ndihmon organizmin në parandalimin e dehidratimit. Speci djegës dhe xhenxhefili bëjnë mrekullira për zbutjen e fytit dhe largimin e infeksioneve nga bajamet. Përveç fytit, xhenxhefili dhe speci djegës qetësojnë edhe stomakun. Lëngu i limonit bashkëpunon me elektrolitet e kripës së detit dhe ruan pehazhin e organizmit.

Mjalti shërben si bartës i vitaminave dhe mineraleve dhe shumëfishon të mirat që ofrojnë të gjithë përbërësit e lartpërmendur për organizmin. Sasia e përbërësve përzgjidhet bazuar në numrin e personave për të cilët do gatuani. Ju nevojiten 2 filxhan çaji me lëng të mishit të pulës, 4 thelbinj hudhër, një majë luge çaji me spec djegës pluhur, dy feta 1 cm xhenxhefil i freskët i grirë hollë, një lugë çaji me kripë, 1 lugë çaji me rigon të thatë, 2 lugë çaji me mjaltë, gjysëm luge çaji me trumzë të thatë si dhe lëngu i një gjysmë limoni. Ziejini të gjithë përbërësit për 15 minuta dhe më pas kullojeni lëngun. Lëngun e përftuar rekomandohet ta konsumoni në drekë dhe në mbrëmje.