Bota

Ushtria kineze rrethon Tajvanin, stërvitje “paralajmëruese”!

Kina dislokon avionë luftarakë dhe luftanije për të rrethuar Tajvanin, në stërvitjet ushtarake që Pekini tha se synojnë të dërgojnë “një paralajmërim të ashpër” ndaj forcave “separatiste” në ishullin që vetëqeveriset. Vendi aziatik nuk e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës për të marrë nën kontroll Tajvanin dhe stërvitjet e sotme shënojnë raundin e katërt të atyre të mëdha ushtarake që Kina ka mbajtur në dy vitet e fundit.

Shtetet e Bashkuara thanë se veprimet e Kinës nuk ishin “të lajmëruara” dhe rrezikojnë “përshkallëzim”. Uashingtoni i bëri thirrje Pekinit të përmbahet. Presidenti tajvanez, Lai Ching-te, i cili mori detyrën në maj ka qenë më i zëshëm se paraardhësja e tij, Tsai Ing-wen në mbrojtjen e sovranitetit të Tajvanit, duke zemëruar Pekinin. Kina e quan “separatist”.

Lai u zotua për “mbrojtjen e Tajvanit demokratik, mbrojtjen e sigurisë kombëtare”, ndërsa Ministria e Mbrojtjes tha se ka dislokuar “forcat e nevojshme” në përgjigje të stërvitjeve të Kinës. Në afërsi të bazës ajrore Hsinçu, në veri të Tajvanit u panë 12 avionë luftarakë duke u ngritur në qiell.

Ishujt në periferi të Tajvanit u vunë në “gatishmëri të lartë” dhe “avionët e anijet do të përgjigjen ndaj armikut sipas rregullave”, siç njoftoi Ministra e Mbrojtjes e Tajvanit. Pekini vuri në dukje se stërvitjet e tij shërbejnë si “paralajmërim i ashpër ndaj veprimeve separatiste të forcave të pavarësisë së Tajvanit”.

Stërvitjet synojnë testimin e trupave për aftësitë e operacioneve të përbashkëta. Ato po mbahen në zonat në veri, jug dhe lindje të ishullit të Tajvanit.

Ushtria kineze njoftoi se stërvitjet janë të përqendruara në gatishmërinë e luftimeve në ajër e të patrullimeve, si dhe në bllokimin e porteve kyçe. Po ashtu, po mbahen për të praktikuar “sulmet ndaj objektivave detare e tokësore”.

Sipas një diagrami të publikuar, rojet bregdetare me katër flota kanë rrethuar Tajvanin dhe po lëvizin përreth ishullit në drejtimin e kundërt të akrepave të orës.

Katër formacione të anijeve të rojeve bregdetare të Kinës po patrullonin përreth ishullit, por ato nuk kishin hyrë në ujërat e ndaluara.

Në vitet e fundit, Kina ka rritur aktivitetin ushtarak përreth Tajvanit, duke dërguar avionë luftarakë. Luftanijet e saj kanë prani pothuajse të përhershme përreth ujërave të ishullit. Pekini tha se stërvitjet e së hënës “janë legjitime dhe të nevojshme për të ruajtur sovranitetin e unitetin kombëtar”. 25 avionë ushtarakë të Kinës dhe shtatë anije të Marinës janë detektuar përreth ishullit në 26 orët e fundit.