Ushtria izraelite bëri të ditur se ka filluar një “aktivitet operacional” në dy zona të pjesës qendrore të Gazës, në një zgjerim të mundshëm të ofensivës tokësore një-mujore kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e nga Bashkimi Europian. Ushtria vuri në dukje se forcat e saj po operonin “si mbi tokë, ashtu dhe nën tokë” në pjesët lindore të Deir al-Balah-ut e Bureijit, një kamp refugjatësh palestinezë që daton nga lufta e vitit 1948.
Ushtria tha se operacioni nisi me sulme ajrore në infrastrukturën militante, pas së cilit trupat filluan një operacion tokësor në të dy zonat. Ofensiva tetë-mujore ka ndërprerë kryesisht fluksin e ushqimit, ilaçeve dhe furnizimeve të tjera për palestinezët që po përballen me urinë e përhapur. Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë presin që Izraeli e Hamasi t’i përgjigjen një propozimi të ri për armëpushim dhe lirimin e pengjeve.
Një plan për armëpushim, i shpallur javën e kaluar nga presidenti amerikan, Joe Biden, mes tjerave, përfshin armëpushimin e plotë, tërheqjen e forcave izraelite nga zonat e populluara në Gazë, dërgimin e ndihmave atje dhe lirimin e pengjeve nga Hamasi.
Një ndihmës i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu tha se Izraeli e ka pranuar atë, ndonëse, sipas tij, plani ka të meta dhe ende ka nevojë për punë. Hamasi shtoi se e mirëpret nismën e presidentit Biden, por se kërkon garanci se do t’i jepet fund ofensivës në Gazë, e cila, sipas tij, ka lënë mbi 36 mijë njerëz të vrarë.
Hamasi e sulmoi Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë më shumë se 1.200 njerëz dhe duke marrë peng rreth 250 të tjerë. Pas këtij sulmi nisi lufta në Rripin e Gazës, pjesë e kontrolluar nga Hamasi.
Dhjetëra pengje të rrëmbyer prej këtij grupi, u liruan gjatë një armëpushimi në muajin nëntor. Disa prej tyre u gjetën nga trupat izraelite, por jo të gjithë të gjallë.