Cikli menstrual është një proces i vazhdueshëm hormonal me katër faza. Njohja e këtyre fazave na ndihmon të kemi më shumë kontroll dhe mirëkuptim për veten tonë. Faza folikulare fillon menjëherë pas periodave dhe zgjat rreth një javë. Hormonet FSH dhe LH stimulojnë rritjen e vezëve dhe rrisin prodhimin e estrogjenit. Në këtë fazë, ushqehuni me fibra, anti-oksidantë (si shega dhe boronica), perime si brokoli si dhe ushqime të fermentuara për shëndetin e zorrëve. Farat e kungullit dhe linit janë të pasura me fitoestrogjenë që ndihmojnë në përgatitjen për fazën ovulatore.
Më pas është faza ovulatore. Gjatë kësaj faze, ndiheni më energjikë, por mund të ndiheni edhe nervozë ose të irrituar për shkak të niveleve të larta të estrogjenit dhe LH. Ushqehuni me perime, fasule, arra për të marrë zink dhe magnez. Gjithashtu, bëni stërvitje të larta energjike në mëngjes dhe relaksohuni në mbrëmje.
Faza luteale. Kjo është faza më e gjatë, që zgjat 10-12 ditë para periodave. Simptomat e PMS mund të përfshijnë lodhje, ankth dhe fryrje. Gjatë kësaj kohe, trupi përgatitet për një shtatzëni të mundshme, por nëse veza nuk fertilizohet, fillojnë dhimbje dhe shtresa e mitrës fillon të lirohet për të filluar menstruacionet. Gjatë kësaj faze, rritni konsumimin e ujit dhe elektroliteve për të ndihmuar me dhimbjet dhe kujdesuni për lëkurën.
Karbohidratet e shëndetshme dhe ushqimet me vitamina D, B6 dhe omega-3 janë të rëndësishme për të mbajtur nivelin e energjisë të lartë. Faza menstruale. Gjatë kësaj faze, preferohen stërvitje më të lehta, si yoga dhe shëtitje. Ushqime me hekur (mishi i kuq, fasulet, thjerrëzat) janë të rëndësishme për të zëvendësuar humbjen e gjakut. Gjithashtu, ushqehuni me ushqime të pasura me B12 (kos, vezë, mishi i gjelit të detit), vitaminë C (speca, luleshtrydhe, brokoli) dhe omega-3 për një balancë hormonale më të mirë.
Ndërkaq, pilulat për të shtyrë ciklin menstrual janë një zgjedhje për shumë vajza dhe gra gjatë muajve të verës. Edhe pse nuk ka rrezik duke qenë se janë preparate hormonale, gjithmonë duhet të konsultoheni me gjinekologun tuaj përpara se t’i përdorni. Përdorimi i shpeshtë i këtyre ilaçeve mund të çojë në çekuilibër hormonal, më vonë gjakrrjedhje të parregullt ose më të bollshme, si dhe çrregullime të ciklit menstrual.
Shtyrja e menstruacioneve kryhet me përdorimin e preparateve hormonale, pilula kontraceptive ose preparate gestagjene, tableta që përmbajnë një formë sintetike të progesteronit të hormonit seksual femëror. Nëse një grua tashmë përdor pilula kontraceptive si një metodë mbrojtjeje kundër shtatzënisë së padëshiruar, cikli mund të shtyhet thjesht duke vazhduar përdorimin e paketës së dytë pa pushimin e zakonshëm 7-ditor. Nëse nuk është kështu, cikli mund të vonohet duke përdorur tableta hormonale me bazë progesteroni.