Uragani Beryl goditi Teksasin, duke shkaktuar erëra me shpejtësi deri në 140 km/h, ndërsa autoritetet paralajmërojnë për valë stuhie “kërcënuese për jetën”.
Stuhia e kategorisë një pritet të sjellë erëra shkatërruese dhe deri në 38 cm shi. Një periferi e Hjustonit u përmbyt. Autoritetet nisin evakuimet dhe Zyra e guvernatorit të shtetit u kërkoi banorëve të mos e nënvlerësojnë stuhinë. Portet janë mbyllur, ndërsa te fluturimet ka vonesa dhe anulime.
Beryl shkaktoi të paktën 10 vdekje në Karaibe përpara se të zvogëlohej në një stuhi tropikale dhe goditur Gadishullin Jukatan të Meksikës. Por uragani u fuqizua sërish para se të mbërrinte në Teksas. Mbi një milion qytetarë janë prekur nga ndërprerjet e energjisë elektrike. Qendra Kombëtare e Uraganeve në SHBA ka paralajmëruar ata që jetojnë në rrugën e Berylit të gjejnë një vend të sigurt për të qëndruar, sepse kushtet e rrezikshme do të vazhdojnë edhe pasi qendra e Beryl të kalojë.
“Ekziston një rrezik i konsiderueshëm i përmbytjeve në bregun e Gjirit të Teksasit, në Teksasin lindor. Mos e injoroni këtë stuhi shumë serioze”, kërkoi Guvernatori në detyrë Dan Patrick.
Sipas parashikuesit amerikan AccuWeather, uraganet që bien në tokë të këtij lloji janë disi të rralla për Teksasin në korrik.
Beryl pritet të lëvizë drejt lindjes nëpër shtetet qendrore të Amerikës, duke përfshirë Misisipin, më vonë gjatë javës.
Në këtë proces, ka të ngjarë të kalojë mbi Teksasin qendror dhe perëndimor, zona që aktualisht po përjetojnë thatësisrë.
Ky është uragani i parë i sezonit të Atlantikut 2024, por Administrata Kombëtare e Oqeanit dhe Atmosferës së SHBA-së ka paralajmëruar se Atlantiku Verior mund të ketë deri në shtatë uragane të mëdha këtë vit – nga mesatarisht tre në një sezon.