Bota

Uragani “Helene”, mbi 100 të vdekur dhe qindra të zhdukur në SHBA!

Në Shtetet e Bashkuara, banorët e pjesës perëndimore të Karolinës së Veriut vazhdojnë të vuajnë nga pasojat shkatërrimtare të uraganit “Helene” ndërsa dje, qindra njerëz ende figuronin në listën e të zhdukurve. Banorët e këtij rajoni po përballen me rrugë të përmbytura e mungesë të shërbimeve bazë.

Më shumë se 100 vetë kanë humbur jetën nga pasojat e uraganit që goditi Floridën të enjten e kaluar dhe pasojat e tij shkatërruese, që më vonë u ndjenë në një numër shtetesh, përfshirë Xhorxhian, Karolinën e Jugut e Karolinën e Veriut.

“Rreth 600 njerëz mbeten të zhdukur”, tha në Shtëpinë e Bardhë këshilltarja e Sigurisë Kombëtare, Liz Sherwood-Randall edhe pse vuri në dukje se kjo shifër mund të ndryshojë pas mbërritjes së ekipeve të kërkim-shpëtimit në zonat e goditura nga përmbytjet, erërat e forta e rrëshqitjet e dheut po ashtu. Numri i viktimave ka të ngjarë të rritet, njoftuan zyrtarët.

Në komunitetet e shkatërruara, banorët vazhdojnë që të jenë të izoluar për shkak të përmbytjes së rrugëve, mungesës së ujit të pijshëm, energjisë dhe shërbimit të telefonisë celulare.

Në qarkun malor Bankombi, i cili përfshin destinacionin popullor turistik të Ashvilit, 35 persona kanë gjetur vdekjen, siç raportoi sherifi i qarkut në një konferencë për shtypin. Nga dje pasdite, qarku filloi të shpërndante ushqim dhe ujë të pijshëm për banorët e izoluar. Disa furnizime duhej të transportoheshin me avion, sepse shumica e rrugëve kryesore vazhdojnë të jenë të bllokuara nga rrëshqitjet e dheut e nga përmbytjet.

“Atyre po u mbaron karburanti për makineritë e mëdha dhe motosharrat, që po përdoren për pastrimin e rrugëve dhe prerjen e pemëve të rrëzuara”, u shpreh Colleen Burns, 58 vjeç, shtëpia e së cilës ndodhet në Bërnsvil, në qarkun fiqnj Jensi.

Ne kemi nevojë të madhe për karburant.

Në një zonë tjetër të këtij qarku, stuhia rrëzoi një pemë shekullore rreth shtëpisë së 44 vjeçares Taylor Shelton. Bashkëshortit të saj iu deshën dy ditë me një motosharrë për të prerë një pjesë të pemës që po bllokonte rrugën para shtëpisë së tyre. Ata dhe tre fëmijët arritën të largoheshin më vonë nga shtëpia e mbuluar nga errësira për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

Sipas zyrtarëve të kompanive të sigurimeve dhe ekspertëve, dëmet e shkaktuara nga uragani “Helene” pritet të arrijnë vlerën e rreth 100 miliardë dollarëve.