Bota

Uragani Helene, 45 viktima në SHBA/Rrezikshmëri e lartë!

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, uragani Helene që goditi Floridan me fuqinë e Kategorisë 4, tani është reduktuar në atë 1. Stuhia tropikale po zhvendoset më në brendësi të veriut, drejt Xhorxhias fqinje. Shërbimi i Monitorimit paralajmëroi për erëra, të cilat ende mund të kalojnë shpejtësinë nga 90 në 100 kilometra në orë dhe me efekte “katastrofike”.

Një situatë jashtëzakonisht e rrezikshme e që vazhdon të kërcënojë me jetë njerëzish.

Deri më tani, të paktën 45 persona kanë gjetur vdekjen në Florida, si dhe në Karolinën e Jugut e të Veriut, në Xhorxhia e në Virxhinia. Mbi një milion shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike. Për shkak të rënies së pemëve, autoritetet amerikane presin ndërprerje të gjata energjitike.

Mediat amerikane po raportojnë se mes viktimave janë tre zjarrfikës, një grua me dy fëmijë binjakë vetëm 1 muajsh, si dhe një e moshuar 89-vjeçe.

Apel rrëqethës nga autoritetet 

Për shkak të kalimit të uraganit, autoritetet e Floridës kishin bërë një thirrje rrëqethëse për banorët e shtetit:

Kushdo që do të vendosë të mos evakuohet duhet që të shkruajë emrin e tij në këmbë ose në krahë për identifikim.

Policia specifikoi se masa do të ndihmojë autoritetet për të “lehtësuar identifikimin e trupave të pajetë”. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden iu bëri thirrje banorëve t’i kushtojnë vëmendje “thirrjeve për evakuim” të lëshuara nga emergjencat:

Merreni këtë seriozisht e tregohuni të kujdesshëm!

Të paktën 11 viktima e një milion njerëz vuajnë mungesën e energjisë në Xhorxhia. Guvernatori Brian Kemp paralajmëroi se bilanci mund të rëndohet pasi dhjetëra vetë ende janë të bllokuar në shtëpitë e dëmtuara nga uragani Helene.

Guvernatorët në Florida, Xhorxhia, Alabama, Karolinën e Jugut, atë të Veriut, si dhe në Virxhinia, të gjithë kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme nga emergjenca e lidhur me motin. Para se të zhvendosej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raportohet se uragani shkaktoi dëme të konsiderueshme në Kubë.