Bota

Unioni merr vendimin, rrit tarifat ndaj makinave elektrike kineze!

Unioni merr vendimin, rrit tarifat ndaj makinave elektrike kineze.

Makinat elektrike kineze mund të bëhen më të shtrenjta në tregun e Bashkimit Evropian pasi politikanët në Bruksel i kanë konsideruar një “kërcënim” për industrinë e Unionit. Rrjedhimisht, blloku ka arritur në përfundimin se automjetet elektrike aziatike do të përballen me tarifa duke filluar nga 4 korriku, nëse bisedimet me autoritetet kineze nuk çojnë drejt një zgjidhjeje.

Njoftimi i BE-së vjen në një kohë kur Brukseli po kryen një hetim mbi atë që e quan “përmbytja e kontinentit të vjetër nga makinat kineze, të mbështetura nga subvencionet qeveritare.” Nga ana e saj, Kina pretendon se tarifat shkelin rregullat e tregtisë ndërkombëtare dhe e cilëson hetimin si një “masë proteksioniste.”

Prodhuesit e automjeteve elektrike që bashkëpunuan me hetimin e nisur në shtator do të përballen me një tarifë prej 21 për qind, ndërsa ato që nuk bashkëpunuan me një prej 38.1 për qind. Këto tarifa do t’i shtohen taksës aktuale prej 10 për qind të vendosur mbi të gjitha automjetet e prodhuara në Kinë.

Ndërhyrja e Bashkimit Evropian vjen pasi Shtetet e Bashkuara bënë një lëvizje më të fortë muajin e kaluar, duke i rritur tarifat mbi makinat kineze nga 25 në 100 për qind. Vendimi është kritikuar jo vetëm nga Pekini, por edhe nga politikanë të shumtë evropianë. Ministria e Jashtme kineze deklaroi se hetimi i Brukselit kundër subvencioneve kineze është rast tipik proteksionizmi, që do të dëmtojë marrëdhëniet e ardhshme tregtare mes gjigantit aziatik dhe Evropës. Ndërsa ministri gjerman i Transporteve, Folker Vising, deklaroi se lëvizja rrezikon të nisë një luftë tregtare me Pekinin. “Tarifat ndëshkuese të Komisionit Evropian dëmtojnë kompanitë gjermane dhe produktet e tyre,” shkroi ai në platformën “X”.