Aurela Gaçe ka qenë e ftuar mëngjesin e sotëm në “Wake Up” për të folur mbi projektet e saj të reja dhe dopio albumin e saj “Me taban dhe Unike”. Aurela ka festuar gjithashtu dhe 30 vjet karrierë muzikore në skenë. Si ndihet ajo për këtë?
Nuk i kam numëruar, apo i kam menduar që do shkoj kaq gjatë. E dua dhe nuk jetoj dot pa muzikën. Është një lloj adrenaline që unë e marrë me të. Është një lodhje, por është një lodhje e bukur. Është rraskapitje e orëve të gjata, nëpër studio, të ftohtit apo të ngrohtit gjatë zhvillimit të klipeve. Por formulë tjetër nuk kam. E dua kaq shumë sa kur del projekti përfundimtar, le të mos e dëgjojë njeri, por unë jam e kënaqur.
Çfarë mund të thuash për dopio albumin tënd?
Jam shumë detajiste dhe i kthej gjërat shumë herë. Mendoj se detajet bëjnë ndryshimin. Albumi filloi në kohën e pandemisë. Muzika u kthye në shpërtimtaren time, nga frikërat, vetmia. Unë harxhoja 4 ose 5 orë nëpër studio. Derisa u bënë këngët që nuk i numëroja më. Isha e sigurtë që ky ishte fillimi i albumit.
Kënga “Veten dua gjallë” vjen dhe me një mesazh shumë të fortë…
Është detyrë që unë të lë në muzikë ndjesitë e mia. Ka shumë njerëz që mund të marrin një lloj frymëzimi. Pasi kam publikuar “Veten dua gjallë” kam marrë shumë mesazhe nga gra dhe vajza që pasi kanë dëgjuar këngën kanë thënë që e duan veten gjallë.
Gjithashtu një tjetër mesazh mbi të pranuarit e vetes ashtu siç je është dhe kënga “Unike”…
Nuk dua të ngacmoj asnjë që kërkon të përmirësoj veten e vet. Por duke u rritur në sy të publikut ti ndihesh jo mjaftueshëm. Të thonë shumë gjëra. Unë i kam të gjitha këto por jam njeri e kam shumë vlera brenda vetes. Këtë dua t’u them dhe vajzave të mia. Ti nuk je perfekte, por ato të bëjnë ty unike dhe vetvetja. Kam kuptuar që nuk i shpëtoj dot vetes. I them vetes që unë kështu të dua.
Në 30 vjet karrierë në muzikë, çfarë ka ngelur ende pa provuar, se pompat gjatë performacave i kemi parë?
Sparkata (qesh). Pompat më janë kthyer si një vulë e imja. I kam filluar për të treguar se vajzat mund të jenë çdo gjë në skenë. Por për të treguar edhe forcën që mund të jem live dhe të merrem me sport në të njëjtën kohë. Pastaj njerëzit i prisnin dhe i kërkonin.
Për t’u ndalur pak tek projekti “99 sfida” që është publikuar pak ditë para albumit. Cilat janë mesazhet që ke marrë?
Më kanë ardhur mesazhe shumë të bukura nga nëna që kanë humbur fëmijë, nga vajza që ndihen vetëm. Për mua misioni ka mbaruar në momentin që marr mesazhe të tilla. Kam dashur të fus shumë njerëz në klip, të suksesshëm dhe jo të suksesshëm. Pastaj thashë le të nxjerrim ata njerëz që kanë sfida përditë.
Nëse edhe juve ju pëlqen kënga “99 sfida”, ju mund të vazhdoni ta votoni atë për të qenë sa më gjatë pjesë e klasifikimit të “The Top List”.