Bota

UNHCR: 1.5% e popullsisë së botës e zhvendosur nga konfliktet!

Më shumë njerëz se kurrë u zhvendosën me forcë në mbarë botën muajin e kaluar për shkak të luftës, konfliktit, dhunës dhe persekutimit. Kjo theksohet në një raport të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR).

Në muajin maj, 120 milion njerëz u zhvendosën globalisht, gati 10% më shumë se një vit më parë dhe që përfaqësojnë rreth 1.5% të popullsisë së botës.

Sipas agjencisë, më shumë se dy të tretat e refugjatëve janë zhvendosur brenda vendit.

Dy të tretat e atyre që kanë ikur jashtë vendit mbeten në vendet fqinje, në kushte shpesh të vështira, me shpresën për t’u kthyer shpejt në vendet respektive.

Vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania ishin destinacionet kryesore për ata që kërkonin mbrojtje afatgjatë, me Gjermaninë që mori numrin e dytë më të lartë të kërkesave për azil pas SHBA-ve.

Një tjetër agjenci e Kombeve të Bashkuara, UNICEF, njoftoi se pas 1 mijë ditëve që kur vajzat u ndaluan nga shkollat e mesme në Afganistan, një zyrtare e lartë e UNICEF-it, shfrytëzoi momentin historik për t’i nxitur talebanët që t’i lejojnë vajzat të kthehen në shkollë.

Për 1.5 milion vajza, ky përjashtim sistematik nuk është vetëm një shkelje e qartë e të drejtës së tyre për arsimim, por gjithashtu rezulton në zvogëlimin e mundësive dhe përkeqësim të shëndetit mendor, theksoi drejtoresha e UNICEF-it, Catherine Russell.

Deklarata nënvizon pasojat e gjera të ndalimit, të cilat shkojnë përtej humbjes së menjëhershme të arsimit.

Kjo e përkeqëson krizën e vazhdueshme humanitare dhe ka pasoja serioze për ekonominë dhe rrugën e zhvillimit të Afganistanit, shtohet në deklaratë.

Russell bëri thirrje që vajzat të kthehen në shkollë, duke nënvizuar faktin se asnjë vend nuk mund të ecë përpara nëse gjysma e popullsisë mbetet pas.

I bëj thirrje autoriteteve që të lejojnë të gjithë fëmijët të kthehen në shkollë dhe i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të qëndrojë i angazhuar e të mbështesë këto vajza, të cilat kanë nevojë për ne, më shumë se kurrë, thekson zyrtarja e lartë.