Këshilli i Lartë Gjyqësor ka prezantuar këtë të hënë (20 maj) strategjinë kombëtare të uljes së numrit të çështjeve të prapambetura në gjykata për periudhën 2024-2027.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja në fjalën e tij, ka deklaruar se kjo strategji kërkon angazhimin e të gjithë aktorëve që aksesojnë sistemin e drejtësisë, ndërsa garantoi se kjo strategji do të ketë ndikime pozitive si për vetë sistemin, qytetarët, ashtu edhe për shpejtimin e rrugës drejt integrimit europian.
“Kjo strategji kërkon angazhimin e te gjithë aktorëve që aksesojnë sistemin e drejtësisë. unë mendoj se strategjia do ketë ndikime të mëdha pozitive për sistemin e drejtësisë, për qytetarët edhe për shpejtimin e rrugës drejt integrimit në BE.
Ulja e numrit të çështjeve të prapambetura do e përmirësojë aksesin në drejtësi për qytetarët e do rrisë besimin e tyre te institucionet tona të drejtësisë. një sistem gjyqësor më efikas e transparent do ndikojë në klimën e biznesit dhe investimeve në vendin tonë”, tha Manja.
Ministri u shpreh më tej se mirëadministrimi i sistemit të drejtësisë kërkon investime të reja.
“Zbatimi i kësaj strategjie kërkon angazhimin e të gjithë aktorëve të sistemit të drejtësisë. Qeveria dhe Ministria e Drejtësisë është e përkushtuar të ofrojë mbështetjen e saj për zbatimin e kësaj strategjie. Ne do vijojmë të punojmë që drejtësia të punojë në mënyrë të pavarur, efikase e në kohë.
Unë e di dhe jam koshinet çfarë kërkon kjo strategji nga qeveria.
Mirëadministrimi i drejtësisë do dojë investime të reja, godina të reja, infrastrukturë moderne, burime njerëzore të mjaftueshme në dispozicion të magjistratëve që japin drejtësi, digjitalizim i veprimtarisë gjyqësore dhe përdorim i teknologjisë. Këto nuk bëhen pa para, të cilat i ka qeveria dhe programe me strategji të qartë”, përfundoi ai.
Ky aktivitet mblodhi së bashku përfaqësues të nivelit të lartë nga institucionet e drejtësisë, trupës gjyqësore dhe aktorët të tjerë që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e drejtësisë, duke vënë theksin te mbështetja e nevojshme vendase dhe e partnerëve ndërkombëtarë për realizimin e objektivave të kësaj strategjie.