Ministri kundër Emigracionit të Paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar, Michael Tomlinson deklaroi sot se emigracioni i paligjshëm i shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar është ulur me mbi 90%. Në fjalën e tij gjatë Konferencës Ndërministeriale të vendeve të Ballkanit Perëndimor “Bashkëpunimi për Sigurinë dhe Flukset Migratore përmes Ballkanit Perëndimor”, Tomlinson u shpreh:
Dukuria e emigracionit global në shkallë të gjerë është një sfidë që na ndikon të gjithëve ne që gjendemi sot këtu. Kjo lëvizje masive e njerëzve vjen në forma të ndryshme. Shumica përmes emigracionit ligjor e të sigurt e një pjesë e madhe edhe prej individëve që i largohen luftës e persekutimit në mënyrë që të kërkojnë azil.
Por, zyrtari i lartë shtoi:
Po kështu, ne duhet që të pranojmë se një numër i madh emigrantësh të parregullt vazhdon të ekzistojë për shumë arsye, përfshirë shfrytëzimin dhe abuzimin nga banda të paskrupullta kriminale apo shfrytëzimin ekonomik. Përfshirë dhe ata që kryejnë krimet më të rënda e të urryeshme përmes trafikimit të qenieve njerëzore.
Rajoni i Ballkanit Perëndimor përbën një prej korridoreve kyçe që është dëshmitar i këtyre flukseve të parregullta masive të emigracionit, me qindra mijëra qytetarë që kaluan tranzit në këtë rajon në vitin 2023. Më 2024-ën pritet që e njëjta prirje të ndodhë.
Ministri britanik u shpreh se përgjigjja ndaj këtyre sfidave është një bashkëpunim më i madh mes vendeve.
Unë frymëzohem nga puna e përbashkët e Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë përgjatë 18 muajve të fundit. Siç e tha ministri Balla, për të ulur mbërritjet me skaf në Mbretërinë e Bashkuar me më shumë se 90%. Taskforca jonë e përbashkët e emigracionit, ndarja e mjeteve të kontrollit të kufirit, komunikimi strategjik, hetimet e përbashkëta gjithashtu edhe investimet për të mbështetur që njerëzit të kenë jetë dhe mirëqenie këtu në Shqipëri.
Tomlinson deklaroi “do të nënshkruhet edhe një marrëveshje me ministrin e Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, në mënyrë që edhe Kosova të bëhet pjesë e kësaj taskforce”.