Bota

Ukraina nis 120 mijë trupa në kufi, Zelensky paralajmëron Rusinë: “Tani jemi më të fortë”!

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Ukraina po bëhet më e fortë në Kursk. Vlerësimi i tij, sipas mediave të huaja vjen pasi trupat ukrainase të dielën hodhën në erë një urë të dytë në territorin rus. Luftimet vazhdojnë në rajonin e Kurskut, ku Ukraina ka avancuar që nga fillimi i inkursionit të saj të befasishëm ndërkufitar javën e kaluar. Por ajo mbetet sakaq nën presion mbi lindjen e saj të pushtuar.

Sidoqoftë, ofensiva e Kurskut e ka lënë Rusinë të ketë vështirësi për të mbrojtur territorin e saj, thotë Telegrafi. Kievi duket se ka qëllime të shumta me sulmin e tij, përfshirë edhe rritjen e moralit pas disa muajsh të trazuar. Ndërkohë një ndihmës presidencial ukrainas tha se inkursioni kishte për qëllim sigurimin e një procesi negocimi të drejtë.

Zelensky citohet të ketë thënë në fjalimin e tij të fundit:

Baza e pranisë së Kievit në Kursk po forcohet dhe tani ne po përforcojmë pozicionet tona.

Si pjesë e përpjekjeve për të gjymtuar aftësitë logjistike të Moskës, forcat ukrainase njoftuan të dielën se hodhën në erë një urë tjetër mbi lumin Seym në rajonin Kursk, me sulme të sakta ajrore. Komandanti i Forcave Ajrore të Ukrainës, Mykolaiv Oleshchuk në një postim në mediat sociale deklaroi:

Aviacioni i Forcave Ajrore vazhdon të privojë armikun nga aftësitë logjistike me sulme ajrore precize, gjë që ndikon ndjeshëm në rrjedhën e operacioneve luftarake.

Dy ditë më parë,  forcat ukrainase shkatërruan një tjetër urë mbi Seym. Ministria e Jashtme e Rusisë tha se Ukraina kishte përdorur raketa perëndimore për të kryer atë sulm, të cilat me gjasë ishin HIMARS të prodhuara nga SHBA.