Bota

Ukraina ngre avionët luftarakë F-16 në fluturim, presidenti Zelensky: Moment historik, ne ia dolëm!

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e ka quajtuar momnet historik, ngritjen në fluturim të avionëve të luftës F-16, nga pilotët ukrainas.

Sipas Sky News, presidenti ukrainas njoftoi përdorimin e avionëve për operacione brenda vendit, teksa u takua me pilotët ushtarakë në një bazë ajrore ku 2 F-16 ishin pozicionuar në tokë, e dy që fluturonin mbi të.

“F-16 janë në Ukrainë. Ne ja dolëm. Jam shumë krenar me ju djem, që jeni trajnuar për të pilotuar këto avionë dhe që keni filluar t’i përdorin ato brenda vendit”, tha ai.

Mbërritja e avionëve aq shumë të kërkuar nga Ukraina, konsiderohet e një rëndësie të madhe për Kievin, edhe pse mbetet e paqartë se çfarë ndikimi do të kenë ato për të fuqizuar mbrojtjen ajrore dhe në fushëbetejë.

Moska vazhdimisht po shënjestron baza ushtarake ku mund të pozicionohen F-16 dhe është zotuar t’i godasë ato.

Të ndërtuar nga Lockheed Martin F- 16 kanë qenë në listën e dëshirave të Ukrainës për një kohë të gjatë për shkak të fuqisë së tyre shkatërruese dhe disponueshmërisë globale. Janë të pajisur me topa deri në 20 mm dhe mund të mbajnë bomba dhe raketa.

Ukraina u kishte kërkuar aleatëve që të transferojnë avionët e lakmuar që nga fillimi i luftës, për të mbrojtur qiellin e saj kundër raketave ruse. Rusia ruan epërsinë ajrore mbi Ukrainën dhe F-16 ofrojnë një përmirësim të konsiderueshëm në armatimin e Kievit. F-16 mund të sigurojnë mbulim ajror për trupat, të sulmojnë objektivat tokësore, të sulmojnë aeroplanët e armikut dhe të përgjojnë raketa, raporton CNN.