Bota

Ukraina kërkon vendim të “fuqishëm” në samitin e NATO-s në Uashington!

Ukraina dëshiron që NATO të marrë vendim të “fuqishëm” në samitin e Aleancës Veri-Atlantike në Uashington muajin e ardhshëm. Kjo pasi Kievi synon ta çojë përpara synimin e tij strategjik për t’iu bashkuar aleancës ushtarake. Kjo u theksua nga Këshilltari për Politikën e Jashtme i presidentit Volodymyr Zelensky.

Ihor Zhovkva foli për agjencinë Reuters dhe vuri në dukje se Kievi dëshiron që samiti i NATO-s të përfundojë me rezultate konkrete.

Mendoj se samiti meriton të ketë një vendim të fuqishëm, përfshirë atë për Ukrainën. Kjo sepse nëse i mungojnë vendimet e fuqishme për Ukrainën, samiti do të jetë i kotë. Komentet i bëri në Kiev.

Më tej, Zhovkova nuk specifikoi se çfarë mendon se do të sillte një vendim i tillë. Ndërkohë, Zelensky ka kërkuar që Kievi të marrë ftesë për t’iu bashkuar NATO-s në samitin e këtij viti në Uashington, pasi nuk siguroi ftesë në samitin e vitit të kaluar në Vilnius, pavarësisht lobimit.

Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg dhe Uashingtoni kanë thënë se nuk presin që 32 anëtarët e Aleancës ta ftojnë Kievin për t’iu bashkuar gjatë samitit që pritet të mbahet më 9-11 korrik. Por, Stoltenberg ka deklaruar se shpreson që samiti do të tregojë se Ukraina është duke lëvizur më afër anëtarësimit.

Aleatët kanë diskutuar lidhur me tekstin e mundshëm të deklaratës së samitit, i cili mund të dërgojë sinjal të tillë, duke theksuar se rruga e Ukrainës drejt NATO-s është e “pakthyeshme”.

Ne meritojmë një vendim të fuqishëm. Për çdo vendim të NATO-s nevojitet një dakordësi. Të gjithë ne e dimë këtë dhe po ashtu, ne e kuptojmë që mbase këtë herë do të ketë pajtim përsëri në ditën e fundit para samitit, tha Zhovkva.

Në një tjetër zhvillim, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë raportoi se kundërajrorët e saj kanë rrëzuar 29 dronë ukrainas mbi rajonin Belgorod dhe një mbi rajonin Voronezh, mëngjesin e sotëm. Guvernatori i Belgorodit, Vyacheslav Gladkov u shpreh se një grua u vra dhe katër persona të tjerë u plagosën gjatë sulmeve me dronë në fshatin Velovskoye e në qytetet Stroitel dhe Yakovlevsky. Mediat ruse njoftuan se shtëpi të banuara dhe automjete u dëmtuan gjatë sulmeve.