Bota

Ukraina i prezanton Perëndimit “Planin e Fitores”!

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ndodhet në Bruksel për të prezantuar “Planin e Fitores” me pesë pika,  fillimisht para udhëheqësve të Bashkimit Europian e më tej para ministrave të Mbrojtjes të NATO-s. Asnjë prej tyre, haptazi, nuk e ka hedhur poshtë planin duke treguar dashamirësi kundrejt Kievit.

Por as pika një dhe as pika dy nuk japin shpresa. E para përcakton se Ukraina duhet të marrë ftesë për t’u anëtarësuar në NATO, ndërsa e dyta, leje për të përdorur armë me rreze të gjatë, të siguruara nga Perëndimi, në territorin rus.

Prej kohësh, Kievi i kërkon këto dy pika, por nuk ka dritë jeshile. Ukraina synon që ftesën për NATO ta ketë tani e anëtarësimi të bëhet pasi të përfundojë lufta. Në këtë mënyrë, ka për qëllim të pakësojë frikën mes anëtarëve të NATO-s, se mund të tërhiqen në një konfrontim të drejtpërdrejtë me Moskën. Këtë kërkesë e ka paraqitur edhe në samitin e NATO-s në Vilnius, vitin e kaluar, edhe në të këtij viti në Uashington.

Në përgjigje, aleanca ushtarake ka konfirmuar se Ukraina do të jetë anëtare dikur në një të ardhme dhe ka dalë me formulime si “ura drejt anëtarësimit” ose “rruga e saj drejt anëtarësimit është e pakthyeshme”. Kur u pyet për ftesën, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha të njëjtat fjalë dhe nënvizoi gjithçka që organizata e tij bën për vendin e shkatërruar nga lufta.

Ambasadorja amerikane në NATO, Julianne Smith, u duk po njësoj e paangazhuar. Kjo do të thotë se nuk ka asgjë të re. “Nuk kemi lëvizur përtej Vilniusit dhe Uashingtonit”, është refreni i zakonshëm që dëgjohet në NATO.

Presidenti amerikan, Joe Biden, sot udhëton në Gjermani për një vizitë të shkurtër. Me liderët e Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe pritet të diskutojë për pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Kievi është duke iu bërë thirrje aleatëve perëndimorë të ndërmarrin hapa urgjentë për t’i dhënë fund luftës. Edhe konflikti i zgjeruar në Lindjen e Mesme do të jetë në fokus në axhendën e bisedimeve.

Fillimisht, Biden planifikoi të mbante një takim më të madh me mbështetësit ushtarakë të Ukrainës në bazën ajrore amerikane në Gjermani, Ramstein, javën e kaluar gjatë një vizite të planifikuar treditore. Por, ai e anuloi atë vizitë për t’u marrë me pasojat e uraganit Milton.