Bota

Ukraina e feston sot Krishtlindjen dhe jo më në 7 janar, sfidon Rusinë!

Ukraina po e sfidon Moskën duke festuar sot Krishtlindjen, çka ndodh për herë të parë. Deri tani, kremtimet shënoheshin çdo 7 janar, datë që në vetvete mbart simbolika të lidhjes me Rusinë. Por, edhe pse festë, nuk ndalen luftimet në Ukrainë.

Në muajin korrik, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky firmosi një ligj për ta zhvendosur festën zyrtare të Krishtlindjes nga data 7 janar, më 25 dhjetor. Aty thuhet se qëllimi ishte “braktisja e trashëgimisë ruse”. Ky ndryshim bën që besimtarët ortodoksë të Ukrainës ta festojnë Krishtlindjen me ata katolikë të Ukrainës.

Në fjalimin e përnatshëm, të postuar ndërsa Ukraina përgatitej për ta shënuar festën, Zelensky theksoi:

Sot, të gjithë ukrainasit janë bashkë. Ne të gjithë festojmë Krishtlindjen së bashku. Në një datë, si një familje e madhe, si një komb, si një… një vend…Sot, festa do të bashkojë miliona zëra, më shumë se kurrë më parë!

Në qytetet juglindore të Dnjeprit e Zaporizhjas, dhjetëra të afërm të ushtarëve ukrainas të mbajtur nga forcat ruse si të burgosur lufte u mblodhën në vigjilje të Krishtlindjes për të dekoruar pemët me emrat e të dashurve të tyre.

Djali im, mbrojtësi i Mariupolit është i burgosur për të dytin vit radhazi, për Krishtlindjen e dytë. Pema jonë e Krishtlindjes është një thirrje për shoqërinë. Eshtë një kujtesë se ne jemi duke pritur për fëmijët tanë.

Në Zaporizhja, organizatorja Olha Plechun tha se publiku i gjerë e percepton “robërinë” vetëm si një paraburgim, ndërsa kushtet e ushtarëve ukrainas në paraburgimin rus përfaqësojnë një “vdekje të ngadaltë”.

Djemtë tanë po torturohen. Ne kemi nevojë për shkëmbime. Armiku ynë nuk është fisnik: Ata nuk respektojnë asnjë konventë.

Autoritetet ukrainase thanë se që nga 17 nëntori, të paktën 3.574 ushtarakë dhe 763 civilë mbahen të burgosur nga Rusia.

Në fushëbetejë, 66 luftime u zhvilluan midis forcave ukrainase dhe atyre pushtuese ruse gjatë 24 orëve të fundit, referuar burimeve zyrtare të Kievit. Ushtria ukrainase zmbrapsi 21 sulme ruse pranë rajonit verilindor Harkiv e zonës Stelmahivka të provincës lindore të Luhanskut, siç njoftoi sot Shtabi i Përgjithshëm.

Po ashtu, Rusia lëshoi 31 dronë dhe 2 raketa në Ukrainë, gjatë natës. Mbrojtja ajrore ukrainase zmbrapsi 28 dronë e të dy raketat.

Ushtria shtoi se dronët u lëshuan nga gadishulli i Krimesë që Rusia ia aneksoi Ukrainës, në vitin 2014.