Bota

Ukraina dhe Lindja e Mesme, Biden në Gjermani!

Presidenti amerikan, Joe Biden, sot udhëton në Gjermani për një vizitë të shkurtër. Me liderët e Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe pritet të diskutojë për pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Kievi është duke iu bërë thirrje aleatëve perëndimorë të ndërmarrin hapa urgjentë për t’i dhënë fund luftës. Edhe konflikti i zgjeruar në Lindjen e Mesme do të jetë në fokus në axhendën e bisedimeve.

Fillimisht, Biden planifikoi të mbante një takim më të madh me mbështetësit ushtarakë të Ukrainës në bazën ajrore amerikane në Gjermani, Ramstein, javën e kaluar gjatë një vizite të planifikuar treditore. Por, ai e anuloi atë vizitë për t’u marrë me pasojat e uraganit Milton.

Tani, presidenti amerikan do të kryejë një vizitë të shpejtë. Ai pritet të mbërrijë në Gjermani pasdite vonë dhe do të takohet me presidentin e kancelarin e Gjermanisë nesër në mëngjes, para se të takohet me katërshen europiane pasdite. Këtë vizitë po e zhvillon në një javë kur presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, vizitoi vendet perëndimore për të paraqitur “Planin e fitores” për t’i dhënë fund pushtimit të plotë nga Rusia, i cili nisi në shkurt 2022.

Situata në fushëbetejë në Ukrainë, trajektorja e luftës dhe pjesa si munden aleatët ta mbështesin më së miri Ukrainën do të jenë temë diskutimi.

Në parlamentin gjerman, dje kancelari Olaf Scholz deklaroi  se “Gjermania e Amerika nuk do ta ndalin ndihmën për Ukrainën”.

Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara janë mbështetësit më të mëdhenj të Ukrainës në mbrojtjen e sovranitetit e integritetit të saj, si dhe të demokracisë së saj. Ne do të vazhdojmë të jemi të tillë.

Por kjo është një kohë kur përveç mbështetjes sonë të qartë për Ukrainën, duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta kuptuar se si mund të sigurohemi që kjo luftë të mos vazhdojë përgjithmonë, që të mos vazhdojë të vrasë një numër të pabesueshëm grash dhe burrash.

Zelensky thotë se plani i tij, i cili do të përfshinte ftesë të pakushtëzuar për Ukrainën për t’iu bashkuar NATO-s, tani synon ta detyrojë Kremlinin të negociojë në mirëbesim. Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania janë aleatë të ngushtë të Izraelit, që është bërë gjithnjë e më i izoluar për shkak të fushatës ushtarake në enkllavën palestineze të Gazës, aty ku autoritetet vendase thonë se janë vrarë mbi 42.000 njerëz. Scholz tha:

Ne nuk do të pranojmë që Irani të sulmojë Izraelin me raketa. Kjo nuk duhet të ndodhë. Nuk duhet të ketë destabilizim të mëtejshëm të rajonit. Irani po luan me zjarrin. Kjo duhet të ndalet.