Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagon në lidhje me bllokimin e djeshëm të reporterëve e operatorëve të mediave të Shqipërisë në pikën kufitare të Kapshticës me Greqinë duke e quajtur “thyerje të normave të Bashkimit Europian për qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe sidomos të gazetarëve”.
Në njoftimin për shtyp, unioni thekson se “mbajtja në pengim për rreth tre orë, në pikën kufitare e një grupi reporterësh dhe operatorësh të mediave kryesore të Shqipërisë, përbën një akt të papranueshëm, kundër rregullave dhe normave bilaterale dhe komunitare”. UGSH-ja bën apel lidhur me denoncimin e rastit nga organizata simotra në Greqi, si dhe ato ndërkombëtare të gazetarëve.
Pretendimi i punonjësve të kontrollit kufitar, nga pala greke, se nevojitet një notë verbale nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, pranë ministrisë homologe greke, është thjesht një truk burokratik dhe shkakton ripërsëritjen e një precedenti të ngjashëm me periudha të shkuara. Pengimi i grupit të gazetarëve nga Shqipëria po shënohet si akt i hidhur i ndodhur shpesh në të shkuarën.
UGSH u drejtohet organizatave simotra në Greqi dhe organizatave ndërkombëtare të gazetarëve me apelin që këtë rast ta denoncojnë dhe të rikthejnë vëmendjen ndaj disa sjelljeve të përsëritura të autoriteteve greke ndaj gazetarëve shqiptarë, përmes të cilave dëshmohet se disa prej tyre janë të shenjuar si ” të padëshirueshëm” për disa institucione, ndërkohë që ende ka kolegë që mbeten të shpallur “non grata” zyrtarisht.
Akte dhe praktika të tilla ndaj gazetarëve dëmtojnë fqinjësinë, parimet, rregullat e marrëdhënieve mes dy vendeve që i përkasin BE-së e lirive themelore, thekson në deklaratën për mediat Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.
Në nisje të fjalimit që mbajti në Selanik në kuadër të turit të Diasporës, kryeministri Edi Rama u ndal edhe te incidenti me gazetarët shqiptarë që dje për 3 orë u bllokuan në Kapshticë nga pala greke. Rama falënderoi ministrin e Jashtëm të Greqisë për ndërhyrjen e tij në zhbllokimin e kësaj situate, të cilën e quajti “absurde”. Shefi i qeverisë informoi se zyrtarisht do t’i drejtohet qeverisë greke për rishikimin e vendimit të vitit 2011 e që ndalon gazetarin Marin Mema të hyjë në territorin e vendit fqinj.