Sport

UEFA cakton një gjyqtar të njohur për ndeshjen ndaj Gjeorgjisë, Shqipëria njeh tre fitore me të në drejtim

UEFA i ka dhënë një rëndësi të veçantë takimit të kësaj të hëne që Shqipëria luan në Ligën e Kombeve përballë Gjeorgjisë në Tbilsi. Fitorja në këtë sfidë mund të jetë përcaktuese për rrugëtimin e dy skuadrave, ndaj për këtë arsye, organizata që drejton futbollin në kontinent, ka caktuar një gjyqtar të njohur.

Holandezi Dani Makeli, i cili drejton prej shumë vitesh në kompeticione të rëndësishme ndërkombëtare, do të jetë ai i cili do të ndajë drejtësi në sfidën e Tbilisit. Asistentë të tij do të jenë holandezët Hesel Stegstra dhe Jan de Vries, ndërsa gjyqtar i katërt është Allard Lindhout. Në VAR është caktuar Rob Dieperink, ndërsa në AVAR Ervin Blank.

Makeli është një emër i cili i sjell fat Shqipërisë, pasi në tre takime ku ai ka qenë i pranishëm më parë, ka regjistruar vetëm fitore. Makeli ka qenë gjyqtar i katërt në takimin që Shqipëria fitoi me shifrat 1-0 në Norvegji në mars 2013 falë golit spektakolar të Salihit. Ai drejtoi për herë të parë vetë Shqipërinë në shtator 2021, në ndeshjen ndaj Hungarisë, ku goli i Armando Brojës i dha suksesin kuqezinjve. Ndërkohë, takimi i tij i tretë dhe i fundit me Shqipërinë ishte në fitoren 3-0 ndaj Çekisë në tetorin e vitit të kaluar, që i hapi rrugë kualifikimit për në Euro 2024.