Presidenti kinez, Xi Jinping uroi Donald Trump-in për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale në SHBA, ndërsa bëri thirrje për bashkëpunim dhe jo për konfrontim.
Historia ka treguar se Uashingtoni dhe Pekini fitojnë nga bashkëpunimi dhe humbasin nga konfrontimi, tha Xi, sipas agjencisë shtetërore kineze të lajmeve “Hsinhua”. Një marrëdhënie e qëndrueshme dhe e shëndetshme midis Pekinit dhe Uashingtonit është gjithashtu ajo që pret komuniteti ndërkombëtar. Kina shpreson që dallimet e opinioneve do të menaxhohen siç duhet dhe bashkëpunimi reciprokisht i dobishëm do të zgjerohet.
CNN raportoi se Trump dhe Xi biseduan në telefon. Marrëdhëniet diplomatike mes SHBA-ve dhe Kinës janë të tensionuara. Uashingtoni ka bërë akuza serioze kundër Pekinit, duke përfshirë shkeljet e të drejtave të njeriut, praktikat e padrejta tregtare dhe pretendimet e paligjshme territoriale në Detin e Kinës Jugore.
Pekini, nga ana tjetër, akuzon SHBA-të për pengimin e qëllimshëm të zhvillimit të tyre ekonomik me sanksione dhe tarifa, dhe për ndërhyrje në punët e tij të brendshme si një fuqi hegjemoniste. Trump miratoi një qëndrim të ashpër ndaj Kinës gjatë mandatit të tij të parë në detyrë. Gjatë fushatës zgjedhore, ai paralajmëroi se do të vendoste tarifa të mëtejshme për produktet kineze, të cilat mund të kishin një ndikim masiv në tregtinë botërore.
E vështirë të thuhej nëse Pekini ka pasur ndonjë kandidat të preferuar në zgjedhjet amerikane por ideja e të përballurit me një tjetër administratë amerikane, me në krye presidentin e saposhpallur, Donald Trump, mund të jetë sfiduese për liderin kinez, Xi Jinping. Për Kinën, Trump është përfundimisht një “kartë e egër”.
Përgjatë mandatit të parë të Trump-it në Shtëpinë e Bardhë, dy vendet janë përfshirë në luftë tregtare, Trump ka vendosur tarifa në mallrat kineze në vlerë miliarda dollarë, si dhe ka nisur fushatë globale kundër gjigantit teknologjik kinez, Huawei.
Përgjatë fushatës zgjedhore, ai ka kërcënuar me vendosjen e tarifave prej 60% në të gjitha importet prej Kinës e ka folur hapur për dëshirën e nisjes së një tjetër lufte tregtare. Këto nuk përbëjnë lajm të mirë për Pekinin sidomos në periudhën afatshkurtër ndërsa përballet me ngadalësim të ekonomisë.
Ka shumë mundësi që ushtria amerikane të rrisë praninë në Indo-Paqësor e të krijojë “dhimbje koke” të re për Pekinin në Azi.