Në katër dekadat e ekzistencës së tyre, irlandezët U2 kanë kaluar disa metamorfoza të cilat i kanë afruar me breza nga më të ndryshmit me njëri-tjetrin, breza të cilët kanë jetuar në periudha të ndryshme me sfida që janë njësoj të forta, por që nuk i ngjajnë njëra tjetrës. ‘Disney+’ i ka kushtuar atyre dhe albumit të tyre të ri, një dokumentar të tërë për të kuptuar në thelb cile ishte arsyeja pse ata u bënë një nga grupet më të rëndësishëm të fundit të një shekulli dhe fillimit të një tjetri, një copëz historie e treguar aq bukur, e cila duhet të shihet me se s’bën prej të gjithë kuriozëve që duan të kuptojnë procesin krijues të dy njerzve gjenial në muzikë, Bono dhe The Edge, pavarësisht në jeni apo jo fans i grupit. Ky është me pak fjalë thelbi i “U2: A Sort of Homecoming”. Ah po, dy legjenderëve u bashkohet edhe një i tretë – David Letterman.
U2 janë absolutisht eksporti më i rëndësishëm muzikor [dhe jo vetëm] i Dublinit në 50 vitet të fundit dhe ky film është më shumë se një retrospektivë mbi karrierën dhe jetën e tyre. Ndryshimet kulturore, socio-politike, fetare dhe ekonomike të kryeqytetit irlandez të para nga sytë e Bono dhe The Edge, si edhe të tjerë personaliteteve dhe njerzve të zakonshëm vendas, tregojnë se si U2 janë adhuruar, injoruar dhe ri-përqafuar në këto dekada.
David Letterman është përbëresi që e bën këtë cocktail muzike, imazhesh dhe idesh, fantastik. Në udhëtimin e tij të parë ndonjëherë në Dublin, ylli i televizionit amerikan, me ngrohtësinë, aftësinë briliante të të komunikuarit dhe batutën e shpejtë e të hidhur, përdor miqësinë që ka krijuar ndër vite me themeluesit e grupit për të gjetur atë që ai e quan thembrën e Akilit të U2-ve. Takimet e tij me qytetarë të Dublinit janë po aq interesante sa takimi me yjet e skenave botërore sepse përmes syve të tyre kupton shumë mbi ndjesitë e shoqërisë për atë çka muzika e grupit ka përfaqësuar për ta në vitet e gjata, të vështira të ndryshimeve të mëdha.
Prania e Letterman në këtë dokumentar, me naivitetin e tij genuin e bën eksperiencën e të zbuluarit të vendeve dhe historive të U2 një eksperiencë madhështore. Në ditët kur David shkon në Dublin, dyshja janë duke regjistruar albumin e tyre më të ri, “Songs of Surrender” i cili përmban 40 këngë (të shkuara) të karrierës së tyre, të ri-shkruara ose ri-orkestruara. Ajo që të bën përshtypje është se si, ende, mbas kaq kohe, djemtë janë kaq të përfshirë e të vullnetshëm për të nxjerrë muzikë të re (në një skenë The Edge tregon se ka 600 voice-notes me muzikë të re në telefonin e tij). Në dokumentar nuk mungojnë edhe minutat kur grupi performon disa prej këngëve të tyre të ri-punuara për një publik të përzgjedhur në shoqërinë e muzikantëve vendas (ndër ta Dermot Kennedy, Fontaines D.C) në një nga pub-et e kryeqytetit.
Reflektimi i grupit për sukseset e tyre botërore në raport me atë që po ndodhte në vendlindje është një rrëfim i ri dhe interesant. Ndër të tjera grupi flet për periudhën e vështirë kur shkruhej “Sunday Bloody Sunday” paralelisht me luftën civile në Irlandë, një album i cili, sipas tyre vetëm tani mund të quhet i përfunduar.
Po aq interesant është intervista me drag queen Panti Bliss, i cili tregon sesi Irlanda filloi të pranonte më shumë komunitetin LGBTQ për shkak të mbështetjes së madhe të U2-ve. Bliss ngjitet në skenë bashkë me grupin pavarësisht problemeve me vokalistin e tij – Bono dhe kompleksin e Zotit, siç e quan ai, një kompleks i cili ka qënë problematik edhe për anëtarët e tjerë të grupit gjatë karrierës së tyre. [62 vjeçari prej 23 vitesh është i angazhuar ndër të tjera me nisma humanitare në Afrikë për luftën kundër urisë dhe varfërisë përmes fushatave të tij “One” dhe “Red”. Shpesh besimi i tij në Zot ka qënë pengues në punën në terren, si edhe në karrierën si artist. Me kalimin e viteve Bono, edhe pse vazhdon të lutet çdo ditë me familjen e tij, dhe të shkojë në kishë çdo të diel është bërë më pranues ndaj atyre që nuk zgjedhin të njëjtën rrugë me të].
Sigurisht, e gjithë koha që ata kanë kaluar jo vetëm duke bërë muzikë, por edhe duke ndryshuar botën në shumë nisma humanitare, i ka bërë të pranojnë veten me të mirat dhe të këqijat e tyre, diçka që e shohim të rrëfyer hapur e pa kurrfarë droje në dokumentar.
“U2: A Sort of Homecoming” i rri i vogël suksesit të grupit. Ai nuk shkon zë më zë me të gjitha arritjet e tyre por zbulon anën njerëzore të tyre duke i bërë ata më të prekshëm, aq më shumë kur mendon se për miliona fansa Bono, The Edge, konsiderohen Zot-a. Sidoqoftë ky nuk do të jetë dokumentari apo filmi i fundit për grupin, sepse nëse do të ishte, është i pamjaftueshëm.