Mjeku kirurg i QSUT-së, Prof. Dr. Arvin Dibra, i cili mbeti i plagosur aksidentalisht më 10 gusht gjatë një ndalese për t’u larë në lumin Buna në Shkodër, është nisur më 14 gusht drejt Italisë për trajtim të mëtejshëm.
Burime të afërta me QSUT-në kanë konfirmuar se gjendja shëndetësore e doktorit, i cili ka gjithashtu nënshtetësi italiane, ka filluar të përmirësohet pas një ndërhyrjeje kirurgjikale të suksesshme për të trajtuar dëmtimet në pjesën e qafës dhe rruazat e lidhura me shtyllën kurrizore. Report TV raporton se, për shkak të natyrës serioze të plagëve, rikuperimi i tij do të kërkojë më shumë kohë.
Për shkak të nevojës për një trajtim më të specializuar, Prof. Dr. Dibra është transportuar me avion privat për në Itali. Sipas burimeve, shërbimet për udhëtimin dhe trajtimin janë organizuar në mënyrë private.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 10 gusht, rreth orës 12:25, kur Prof. Dr. Dibra, duke ngrënë drekë me familjen në një lokal në Dajç pranë lumit Buna, është futur në ujë për t’u larë dhe është përplasur me gurët në thellësi, duke shkaktuar dëmtime serioze. Fillimisht ai u transportua me helikopter në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku pas një operacioni të parë pati përmirësime të lehta.
Prof. Dr. Arvin Dibra aktualisht mban postin e Shefit të Klinikës 1 Kirurgjikale në QSUT dhe drejtues i Departamentit të Kirurgjisë në Universitetin e Mjekësisë.