Dosja “21 Janari”, sot në SPAK ishte Saimir Tahiri, i cili pas daljes nga mjediset e Prokurorisë së Posaçme iu përgjigj interesimit të gazetarëve.
U pyeta për rolin që kam pasur në datën 21 janar të 2011-ës dhe kallëzimin që kam bërë në vitin 2015. I qëndroj pikë për pikë asaj që kam thënë. Roli im ka qenë protestues. Të gjithë kemi qenë protestues. Eshtë një ngjarje që duhet zbardhur. Shpresoj shumë të zbardhet.
Në kohën e protestës me katër protestues të vrarë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, më 21 janar 2011, Tahiri ka qenë deputet i PS-së, në atë kohë në opozitë. Me ardhjen e socialistëve në pushtet, më 2013-ën, u emërua në postin e ministrit të Brendshëm.
Në prill të vitit 2015, Tahiri bëri një kallëzim penal për Lulzim Bashën për “Shpërdorim detyre” duke e akuzuar se si ministër i Brendshëm më 2011-ën, Basha dha urdhër për hedhjen e lëndëve kimike mbi protestuesit.
SPAK-u i ka dërguar një kërkesë të dytë Prokurorisë së Tiranës për ngjarjet e 21 janarit me katër të vrarë në protestën e opozitës socialiste të kohës, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet.
Burime të sigurta i thanë Top Channel-it se “grupi i hetimit të posaçëm, i drejtuar nga Alfred Shehu ka kërkuar çdo material që disponon organi i akuzës i kryeqytetit, përfshirë nëse ka pasur apo jo urdhër-ndalime të tjera për katër vrasjet në bulevard, që publikisht njihen si kërkesat ndaj “Grupit të zjarrit”, vendimet e shpallura nga drejtuesja dhe dokumentet që lidhen me planin e masave, shoqërimet e protestuesve”.
Një burim i deklaroi TCH-it se “dosja në themel e dërguar SPAK-ut është ajo e hetimit të hapur prej vitesh ku u tentua të zbardhej vrasja e Aleks Nikës” ndërsa vazhdon e pazbardhur edhe vrasja e protestuesit tjetër, Hekuran Deda. Në SPAK, “21 Janari” përfundoi me urdhër të Gjykatës së Lartë pas denoncimit të Rajmonda Nikës, e cila kërkon të hetohet ish-kryeministri Sali Berisha, ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, si dhe Ndrea Prendi, ish-komandant i Gardës së Republikës. Që të tre, pra Sali Berisha, Lulzim Basha e Ndrea Prendi pritet që të pyeten pasi të shterohet çdo veprim tjetër hetimor.