Aktualitet

U skualifikua në Olimpiadë, mesazhi i Luiza Gegës pas garës!

Luiza Gega thotë se ndihet totalisht e dështuar pasi nuk siguroi dot finalen e Atletikës në Lojërat Olimpike të Parisit. Ish-kampionia e Europës tregon se mori pjesë edhe pse nuk ishte në gjendjen e saj të mirë fizike për shkak të problemeve që ka kaluar.

Eshtë kaq e vështirë të gjesh fjalë kur ndihesh totalisht e dështuar dhe në fakt në këto momente e tillë ndihem. E di që do kaloj, çdo gjë kalon me kohën por në këtë moment dhemb shumë sepse vërtet jam munduar dhe ëndërruar që do ia dal pavarësisht se gjërat që në muajin prill, pasi u sëmura morën “dishezën”.

Gjithsesi përsëri përpiqesha fort çdo ditë edhe përse me shumë stres nga ndjesite jo të mira të trupit tim përsëri rrija me shpresën që do e përballoja një garë të nivelit por në fakt nuk ndodhi kështu.

Edhe përse nuk e kam thënë kam qenë në dilemë të madhe me veten nëse duhet të vija apo jo por e di që pengu për të mos e provuar do më lëndonte më shumë.

Dua vërtet t’i kërkoj falje kujdo që besoi tek unë dhe e zhgënjeva dhe falenderoj të gjithe ato që më mbeshtesin si në ditë të mira qoftë dhe të vështira.

Endrra e Parisit mbyllet sot!

Luiza Gega sot nuk mundi të kualifikohej në finalen e Atletikës në Lojërat Olimpike të Parisit. 35-vjeçarja u rendit e nënta në baterinë e saj kualifikuese, larg pritshmërive. Në finalen e 3000 metrave me pengesa kualifikoheshin 5 atletet e renditura të para. Garën kualifikuese, Gega e mbylli me kohën 9 minuta, 27 sekonda e 41 të qindat, shumë larg dhe rekordit të saj personal.  Tashmë mbyllet përfaqësimi i Shqipërisë në Lojërat Olimpike në Atletikë. Pa garuar kanë mbetur sportistët e Mundjes.

Një ditë më parë, sprinteri Franko Burraj mbylli garën e dytë të 100 metrave në Olimpiadën e Parisit me kohën 10.66. 25-vjeçari nuk u kualifikua për në gjysmëfinale duke u renditur i parafundit në baterinë 4. Më parë, në baterinë paraeleminatore Burraj arriti 10.60 sekonda, koha më e mirë e tij.