Aktualitet

U rrezikuan 4 fshatra në Gjirokastër/ Pas disa orëve luftë me flakët, vihen nën kontroll vatrat!

Operacioni për fikjen e zjarrit masiv ditën e djeshme në Topullaraj pranë Gjirokastrës përfundoi me vendosjen nën kontroll të flakëve rreth orës 4 të mëngjesit të sotëm. Zjarri shfaqi rrezikshmëri të lartë për 4 fshatra të njësive Antigone dhe Lunxhëri pasi u favorizua në pak minuta nga era e fuqishme. Zjarrfikësit izoluan fillimisht flakët që po i drejtoheshin fshatrave Topullaraj dhe Arshi Lengo dhe më pas operacioni vijoi në lindje të vatrës së zjarrit për të frenuar rrezikun për disa stane bagëtish, ferma, plantacione dhe fshatra.

Në operacion morën pjesë të gjithë efektivët zjarrfikës të Gjirokastrës. Me përshkallëzimin e situatës ata kërkuan ndihmë edhe nga skuadrat zjarrfikëse të bashkive fqinje. Zjarri përfshiu kalanë historike të Shën Triadhës monument kulture i kategorisë së parë si dhe antenat e disa operatorëve telefonikë dhe televizivë të vendosur në të njëjtën kodër.

Në vendngjarje aktualisht po vijojnë të qëndrojnë një grup prej 50 trupash ushtarake për fikjen e trungjeve dhe mbajtjen nën monitorim të të gjithë zonës për shkak të rrezikut të një riaktivizimi të mundshëm të zjarrit. Parcela nga ka nisur zjarri është identifikuar nga vrojtuesi i zonës dhe policia po heton mbi ngjarjen si dhe po punon për ndalimin e autorit.