Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, gjatë 24 orëve të fundit në vend janë raportuar 29 vatra zjarri, nga të cilat 19 janë shuar dhe 10 janë ende aktive. Forcat e emergjencës kanë arritur të izolojnë plotësisht zjarret në bashkitë Durrës, Kavajë, Tiranë, Krujë, Rrogozhinë, Vlorë, Delvinë, Këlcyrë, Lezhë, Dibër, Tropojë, Has dhe Malësi e Madhe.
Në Qarkun e Kukësit, në fshatin Surroj, njësia administrative Surroj, bashkia Kukës, zjarri ka prekur një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore. Forcat e ADZM po monitorojnë situatën për të parandaluar përhapjen e mëtejshme, dhe nuk ka rrezik për banesa.
Në Qarkun e Shkodrës, në Qafë Bishkas, fshati Bruçaj, njësia administrative Pult, bashkia Shkodër, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me shkurre, por është izoluar pa rrezik për banesa. Në fshatin Shakotë, njësia administrative Postribë, bashkia Shkodër, zjarri ka rënë në një sipërfaqe me lis dhe masiv shkëmbor, gjithashtu i izoluar. Në fshatin Mnelë e Vogël, njësia administrative Vig-Mnelë, bashkia Vau-Dejës, dhe në Hajmel, njësia administrative Hajmel, bashkia Vau-Dejës, janë përballur me zjarre në shkurre, të cilat janë nën kontroll ose në monitorim të ngushtë. Në fshatin Flet, njësia administrative Blerim, bashkia Fushë-Arrëz, zjarri në shkurre është gjithashtu në monitorim.
Në Qarkun e Lezhës, në fshatin Shëngjin, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë, zjarri vazhdon të jetë aktiv me intensitet të ulët në një sipërfaqe me shkurre dhe është në monitorim nga shërbimi pyjor. Në fshatin Mal-Milot dhe kufi me fshatin Skuraj, njësia administrative Milot, bashkia Kurbin, zjarri në sipërfaqen me pyll dëllinje, shqopë dhe lis është në monitorim të vazhdueshëm për të parandaluar përhapjen.
Në Qarkun e Vlorës, në malin Triallonja, sipër fshatit Qesarat, njësia administrative Livadhja, bashkia Finiq, zjarri në shkurre dhe ferra po kontrollohet nga forcat operacionale që po punojnë për shuarjen e tij. Në fshatin Kopaçez, njësia administrative Vergo, bashkia Delvinë, zjarri në shkurre është gjithashtu në proces shuarjeje.
Forcat e emergjencës vazhdojnë përpjekjet për të kontrolluar dhe shuar të gjitha vatrat e zjarrit në terren, duke siguruar që të mos ketë rrezik për banesat dhe jetën e qytetarëve.