Aktualitet

U plagos nga helika e gomones teksa ishte me pushime në Karaburun/ Ndërron jetë në spital 60-vjeçari

Ka ndërruar jetë në spital, 60-vjeçari Alban Kukaviqi, i cili u lëndua nga helika e gomones në muajin korrik, teksa ishte me pushim në Gjirin e Shën Janit në Karaburun.

Kukaviqi, ish-basketbollist dhe punonjës për 31 vjet në Inspektoratin Shtetëror të Punës, kishte shkuar në pushime me familjen në jug të Shqipërisë. Pas zbritjes nga një anije turistike në Karaburun, ai u plagos në këmbë nga helika e gomones në një zonë të pa zhvilluar të molit të vjetër të ushtrisë. Ai ka ndërruar jetë pas një ndërhyrjeje në një spital në Turqi.

Fillimisht ai u transportua në spitalin e Traumës, ku qëndroi gjatë dhe pati probleme në 2 operacionet e para pasi nuk arriti të mbante narkozën. Më tej u nis drejt Turqisë për mjekim më të specializuar, por fatkeqësisht humbi jetën gjatë operacionit të tretë që po bënte për të vendosur protezë në këmbën e dobësuar.

“Thellësisht të prekur nga humbja e parakohshme e kolegut tonë të dashur, Alban Kukaviqi, i cili në karrierën profesionale 31-vjeçare, pranë këtij institucioni, ka dhënë kontribut të çmuar në inspektimin e punës. Stafi i Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore i shpreh familjes ngushëllime të sinqerta! Lamtumirë, i dashur koleg! Mençuria, mirësia dhe humori jot do të na mungojë shumë! Përjetësisht në kujtimet tona!”, thuhet ne reagimin e Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.