Aktualitet

U plagos në Sarandë, ish-efektivi ka qenë i arrestuar për shpërndarje kokaine!

Një sherr që degradoi deri në përdorimin e thikës ndodhi në orët e para të mëngjesit në qytetin e Sarandës. Gjatë një konflikti për motive banale, për një vendparkimi, një 41 vjeçar, banues në qytetin jugor bregdetar, goditi një ish-efektiv policie, i të njëjtës moshë.

I plagosuri u dërgua në spital ku po merr trajtim mjekësor e ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Autori i dyshuar u arrestua disa orë pas ngjarjes. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Ish-punonjësi i Shqiponjave u godit me thikë, pas një debati me rojen e një parkimi në mjediset e një hoteli në Sarandë. Dyshohet se ai ka refuzuar të kryejë pagesën pasi kishte marrë mjetin. I plagosur ka mbetur shtetasi i identifikuar si Lavdosh Metaj, ndërsa autori, Armand Shehu, ra në prangat e policisë.

Ish-efektivi i Komisariatit të Sarandës, Lavdosh Metaj, rezulton se ka qenë më parë i arrestuar. Uniformat blu i vunë prangat në vitin 2021 për shpërndarje droge të llojit kokainë dhe u lirua para tre muajve si përfitues nga amnistia e zbatuar.