Celebrities Gossip Showbiz

U përfol se nuk fliste më me Einxhel, reagon Beniada!

Edhe pse “Big Brother VIP” tashmë ka përfunduar, i gjithë publiku është ende kurioz se çfarë po ndodh me ish-banorët tani që po vazhdojnë jetën e tyre normale jashtë shtëpisë më të famshme në Shqipëri. Një prej tyre që na shkakton shumë të qeshura me të folurën e saj shumë të lezetshme është Beniada.

Bukuroshja shpesh has vështirësi në të folur, kjo pasi ajo është rritur në Itali dhe edhe pse nuk e ka harruar gjuhën e saj, theksi italian gjithmonë e pengon paksa. Me pozitivitetin dhe energjinë që përcjell brenda, ajo ka rrëmbyer zemrat e publikut dhe njerëzve që e ndjekin nga jashtë.

Beniada ishte një nga katër finalistet e këtij edicioni, së bashku me Donaldin, Ilirin dhe Einxhel. Ajo ishte e para që la shtëpinë natën e finales së madhe. E pas daljes nga kjo eksperiencë, ajo po vazhdon jetën e saj aty ku e kishte lënë, por tashmë me një vëmendje më të madhe.

Kohët e fundit, u përfol goxha në media se mes Einxhel dhe Beniadës mund të kishte pasur një krisje në miqësinë e tyre. Që pas përfundimit të “Big Brother VIP” Beniada dhe Einxhel nuk janë parë më bashkë në shoqërinë e njëra-tjetrës. Pas përfundimit të spektaklit nuk ka pasur asnjë rast ku ato të jenë shfaqur bashkë, nisur dhe nga marrëdhënia e ngushtë që kishin.

Megjithatë, lidhur me këto thashetheme ka reaguar më në fund Beniada. Nëpërmjet një ‘Ask’ që ajo bëri me ndjekësit e saj në Instagram, një fans e pyeti bukuroshen nëse është e vërtetë që Einxhel i kishte ngelur hatri me të dhe nëse janë takuar që pas daljes nga shtëpia e “BBV”. Beniada nëpërmjet disa videove, i mohoi këto thashetheme duke u shprehur se:

Nuk e di pse shumë veta po ma bëjnë këtë pyetjen, por nuk ka asnjë arsye që mua apo Einxhel të na ketë ngelur hatri me njëra-tjetrën. Por të dyja kemi qenë shumë të ngarkuar me punën, unë me shtëpinë e re… Pas një muaji që kam dalë nga “Big Brother”, po filloj të ndërtoj jetën e re këtu në Tiranë. Kam hapur llogari bankare, NIPT , kam bërë dhe kartën e identitetit shqiptare. Për shkak të këtyre gjërave që na kanë marrë shumë kohë, as me mamin tim, as me familjarët e mi, nuk jam dëgjuar shumë. Por me Einxhel jemi dëgjuar, jemi takuar, absolutisht po.