Tensione u shënuan sot para Bashkisë Tiranë, në një protestë të thirrur nga Rithemelimi, pas arrestimit me urdhër të SPAK-ut të disa drejtorëve e ish-drejtorëve në këtë institucion. Një grup qytetarësh e zyrtarë opozitarë tentuan të hynin në godinë dhe shtynë efektivët që kishin krijuar një kordon policor, si dhe hodhën mollë e vezë.
Protesta ndikoi në rëndimin e trafikun në kryeqytet. Po ashtu, një qytetar kërkoi që t’i hapej rruga për shkak se kishte një grua shtatzënë në makinë.
Krahas deputetëve Gazment Bardhi e Flamur Noka, mes të pranishmëve ishte edhe Argita Malltezi, vajza e Sali Berishës, e cila mbante veshur një bluzë me portretin e ish-kryeministrit e me mbishkrimin:
Lironi liderin e opozitës!
Lidhur me arrestimet, këshilltarët e opozitës kërkojnë mbledhjen urgjente të Këshillit. Ilir Alimehmeti i kërkoi kreut të Policisë Tiranë, Tonin Vocaj që të lejoheshin të hynin brenda se do të dorëzonte kërkesën zyrtare për mbledhjen e jashtëzakonshme.
Po kërkojmë një detyrë që na ka ngarkuar populli që përfaqësojmë, çojmë kërkesë zyrtare për mbledhje urgjente të Këshillit. Kur ta mendojë Këshilli, në momentin e parë të mundshëm, ta protokollojmë. Eshtë firmosur nga dhjetëra anëtarë të Këshillit, të gjithë të zgjedhur nga populli, përfaqësues dhe po kërkojmë që këta përfaqësues të votuar dhe që përfaqësojnë njerëzit, të hyjnë në bashki e të shkojnë në protokoll, të protokollojnë shkresën dhe të firmoset siç duhet dhe të dalin e të shpjegojnë cila është kërkesa që ne po bëjmë.
Kërkesa është zyrtare. Kërkesa është që të zhvillohet një mbledhje urgjente mbi çështjet në fjalë ku kemi të arrestuar drejtues të lartë të Bashkisë së Tiranës. Kemi nevojë të bëhet transparencë për Këshillin Bashkiak dhe kjo më pas të bëhet transparente për njerëzit.
Një kërkesë shumë e thjeshtë me një rresht të vetëm: Kërkojmë një mbledhje urgjente. Ta vendosin ata datën kur dëshirojnë, por është detyrim ligjor të marrin kërkesën dhe të lejosh futjen në bashki.
Gjatë fjalës për gazetarët, Gazment Bardhi u shpreh edhe se duhet të ketë hetim për çdo bashki. Rreth një orë më pas, protestuesit u larguan ndërsa këshilltarët e opozitës kërkuan e tentuan të hynin në bashki, por nuk u lejuan.