Lewis Hamilton do të largohet nga Mercedes në fund të sezonit 2024 dhe do t’i bashkohet rivalëve të tyre Ferrarit. 39-vjeçari nënshkroi një kontratë të re dyvjeçare me Mercedes verën e kaluar dhe në fund të vitit do të largohet. Megjithatë, mësohet se kontrata e tij përmbante një klauzolë pushimi pas një viti, të cilën britaniku ka zgjedhur ta aktivizojë. Lëvizja e Luis Hamilton te Ferrari nga Mercedes për sezonin 2025 është konfirmuar. Hamilton, duke kërkuar t’i bëjë një sfidë kampionit aktual botëror Maks Vershtapen, shpreson se kjo do ta ndihmojë të shpallet 8 herë kampion i Botës në F1. Karlos Sainz gjithashtu ka konfirmuar largimin e tij nga Ferrari në vitin 2025. Pas publikimit të lajmit, nënshkrimi me Ferrarin është konfirmuar edhe nga vetë ikona britanike.
Kam kaluar 11 vite të mrekullueshme me këtë ekip dhe jam shumë krenar për atë që kemi arritur së bashku. Mercedes ka qenë pjesë e jetës sime që kur isha 13 vjeç. Është një vend ku jam rritur, kështu që marrja e vendimit për t’u larguar ishte një nga më të vështira që më është dashur të marr ndonjëherë. Por është koha e duhur për mua për të ndërmarrë këtë hap dhe jam i emocionuar që do të marr një sfidë të re. Unë do të jem përgjithmonë mirënjohës për mbështetjen e jashtëzakonshme të familjes sime Mercedes, veçanërisht Toto për miqësinë dhe udhëheqjen e tij. Jam 100% i përkushtuar për të ofruar performancën më të mirë që mundem këtë sezon.