Aktualitet Bota

U godit me baltë dhe sende të forta nga banorët e zonave të përmbytura, reagon Mbreti i Spanjës!

Mbreti Felipe VI ka reaguar publikisht lidhur me incidentin në Paiporta, një nga bashkitë më të prekura nga stuhia vdekjeprurëse, ku u godit me baltë dhe sende të forta nga banorët e zonës.

“Duhet të kuptoni zemërimin dhe zhgënjimin e shumë njerëzve,” tha mbreti këtë të diel pasi ai, mbretëresha dhe politikanët që i shoqëruan, u vunë në shënjestër të fyerjeve dhe baltës gjatë vizitës së tyre në zonat lindore të Valencias.

Në fjalimin gjatë një takimi me krerët e qeverisë dhe drejtuesit e emergjencave civile, ai kërkoi të kuptohet reagimi i njerëzve për shkak të situatës katastrofike që ata kanë kaluar.

“Ne duhet të kuptojmë zemërimin dhe zhgënjimin e shumë njerëzve, për shkak të asaj se sa keq e kanë pasur, për shkak të vështirësisë për të kuptuar se si funksionojnë të gjithë mekanizmat dhe funksionimin e reagimit ndaj emergjencës. Ne duhet të garantojmë që shteti në të gjithë plotësinë e tij është i pranishëm”, tha monarku, i cili u shpreh mirënjohës për kontributin e madh të njerëzve gjatë këtyre ditëve në rajon.

Mediat njoftojnë se numri i viktimave nga përmbytjet në Valencia dhe qytetet rreth saj ka shkuar në 217.

Përmbytjet në Spanjë po kategorizohen si katastrofa më e keqe e Evropës që nga viti 1967, kur të paktën 500 njerëz vdiqën në Portugali nga një fenomen i tillë.

Nga ana tjetër, 3633 ushtarë shtesë kanë zbarkuar në zonat e përmbytura, masë e cila u paralajmërua dje nga kryeministri Pedro Sanchez.