Kryeministri holandez në largim, Mark Rutte, ka reaguar për herë të parë pasi u emërua Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.
Në një postim në rrjetet sociale, Rutte u shpreh se është një nder i jashtëzakonshëm të emërohesh Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.
“Aleanca është dhe do të mbetet gur themeli i sigurisë sonë kolektive”, tha ai, ndërsa shtoi më tej se udhëheqja e kësaj organizate është një përgjegjësi që nuk e merr lehtë.
Ndër të tjera, Rutte u shpreh mirënjohës ndaj aleatëve që besuan tek ai. I ndalur tek paraardhësi i tij, Jens Stoltenberg, Rutte shpreht se ai i ka dhënë NATO-s një lidership të jashtëzakonshëm gjatë 10 viteve të fundit.
Reagimi i plotë
Është një nder i jashtëzakonshëm të emërohem Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s. Aleanca është dhe do të mbetet gur themeli i sigurisë sonë kolektive. Udhëheqja e kësaj organizate është një përgjegjësi që nuk e marr lehtë.
Unë u jam mirënjohës të gjithë aleatëve për besimin e tyre tek unë. Pres me padurim të marr pozicionin me energji të madhe në tetor, si pasardhës i tij Jens Stoltenberg, i cili i ka dhënë NATO-s një lidership të jashtëzakonshëm gjatë 10 viteve të fundit dhe për të cilin gjithmonë kam pasur një admirim të madh.
It is a tremendous honour to be appointed Secretary-General of NATO. The Alliance is and will remain the cornerstone of our collective security. Leading this organisation is a responsibility I do not take lightly. I’m grateful to all the Allies for placing their trust in me. I…
— Mark Rutte (@MinPres) June 26, 2024
Emërimi i Ruttes u bë formalitet pasi rivali i tij i vetëm për këtë post, presidenti rumun Klaus Iohannis, njoftoi javën e kaluar dorëheqjen nga gara, pasi kishte dështuar të siguronte mbështetje.
“Këshilli i Atlantikut Verior vendosi ta emërojë kryeministrin holandez Mark Rutte si sekretar të Përgjithshëm të NATO-s, i cili do ta pasojë Jens Stoltenbergun”, tha NATO-ja në një komunikatë.
Rutte do marrë detyrën e sekretarit të Përgjithshëm të aleancës ushtarake nga 1 tetori 2024, kur i mbaron mandati shefit të tanishëm Jens Stoltenbergut.
Pasi shfaqi interesim për këtë post vitin e kaluar, Rutte fitoi mbështetje të menjëhershme nga anëtarët kyçë të aleancës, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Francën dhe Gjermaninë.
Të tjerët ishin më të rezervuar, posaçërisht vendet e Evropës Lindore që argumentuan se ky post duhet të mbahet nga dikush prej rajonit të tyre për herë të parë.
Megjithatë, ata në fund e mbështetën Rutten, i cili është një kritik i ashpër i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, dhe aleat i patundur i Ukrainës.
Stoltenberg, i cili ka 10 vjet në krye të NATO-s, tha se po e lë aleancën në “duar të sigurta” dhe e quajti Ruttes një lider të “fuqishëm transatlantik”.
“E mirëpres vendimin e aleatëve të NATO-s për ta zgjedhur Mark Rutten si pasuesin tim. Mark është një transatlantik i mirëfilltë, një lider i fuqishëm. I uroj atij sukses teksa ne vazhdojmë ta forcojmë NATO-n për sfidat e tanishme dhe të ardhshme”, tha Stoltenberg.