E ftuar në emision “Back to the Beginning” me Kozeta Kurtin në këtë episod ka qenë Anxhela Peristeri. Këngëtarja e njohur ka zbuluar më shumë detaje në lidhje me karrierën e saj si ka nisur gjithçka. Një rrugëtim pas në kohë që në fëmijërinë e saj dhe deri sot…
Fëmijëria ime ka qenë shumë e bukur, unë kam lindur në qytetin e Korçës. Kam kujtime shumë të bukura nga fëmijëria. Më pas në moshën 14-vjeçare u largova, erdha në Tiranë. Deri 20 vjeç isha këtu dhe pastaj në Greqi.
Më tej ajo shtoi se:
Gjithmonë kam dashur që të bëhem këngëtare, prindërit në moshën 6-vjeçare më kanë futur në shkollën e muzikës për violinë dhe më pas unë vazhdova Liceun Artistik për Kanto, për muzikë klasike.
Si ka lindur pasioni i saj më i madh për muzikën?
Pasioni im më i madh ka qenë muzika e lehtë dhe që në moshën 14-vjeçare mundohesha që të gjeja vende dhe televizione që unë ta shfaqja talentin tim ku mund ta shihnin njerëzit dhe unë të bëhesha e famshme. Dihet tashmë që edhe kushtet e familjeve në atë kohë nuk kanë qenë shumë të mira ekonomikisht dhe unë mundohesha që me punën time të ndihmoja pak edhe familjen. Kështu që u detyrova që të punoj që 14 vjeç.