Aktualitet Bota

U dënuan për marijuanë, falen 2.5 milionë amerikanë!

Shtete të ndryshme amerikane kanë nisur në këtë vit zgjedhor të aplikojnë faljet masive për persona të dënuar për krime të lidhura me marijuanën.

Sipas autoriteteve kjo nismë merret në kuadër të përpjekjeve për të përmirësuar jetët e atyre që përfunduan në burgje për shkak të një lufte 10 vjeçare të vendit kundër drogës.

Merilendi u bë shteti i fundit që e hedh një hap të tillë. Sipas planit të guvernatorit Wes Moore, më shumë se 175 mijë të dënuar për posedim të kanabisit ose pajisje droge do të falen, por nuk do të fshihen përgjithmonë nga historiku penal i këtyre individëve. Grupi që mbështet legalizimin e marijuanës, ‘NORML’, thotë se rreth 2.5 milionë dënime për kanabis janë shlyer ose falur gjatë viteve të fundit.

Drejtues të tij në fakt e konsiderojnë këtë numër të vogël, duke pasur parasysh se gjatë 50 viteve të fundit apo më shumë, mbi 30 milionë amerikanë janë arrestuar në nivel shtetëror ose lokal për marijuana. Personat e falur rifitojnë të drejtat e tyre civile, si e drejta për të votuar, për të shërbyer në një juri gjyqësore, apo për të zotëruar armë.

Shlyerjet e dënimeve shkojnë më tej, duke fshehur plotësisht historikun dhe të dhënat e dënimeve; gjë që u mundëson individëve që përfitojnë marrjen e ndihmës federale për shkollim, kualifikimin për strehim publik dhe lejon ata që janë prindër të marrin pjesë në aktivitetet shkollore të fëmijëve të tyre, krahas edhe disa përfitimeve tjera.