Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal ndaj oficeres së Policisë Gjyqësore Elbasan A.D., për të cilën rëndon vepra penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.
SPAK-u mori pikënisje nga transmetimi më 10 shtator në emisionin Fiks Fare në Top Channel i pamjeve filmike mbi rastin korruptiv të oficeres, e cila i kërkon dhe i merr shtetases H.Ll., shumën 1 mijë euro, si shpërblim për të pushuar çështjen penale në ngarkim të djalit të saj, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”. Hetimet vazhdojnë.
Njoftimi zyrtar:
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur pranimin e kërkesës së SPAK për caktimin e masës të sigurimit personal “arrest në shtëpi” ndaj oficeres së Policisë Gjyqësore A.D. Kjo masë sigurimi është ekzekutuar nga policia gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë në datën 16.09.2024.
Sipas njoftimit të SPAK, nga aktet e administruara për interesa të këtij procedimi penal ka rezultuar se, në datë 10.09.2024, në emisionin Fiks Fare në TV Top Channel, janë transmetuar pamjet filmike mbi rastin korruptiv të Oficeres së Policisë Gjyqësore A. D., në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila i kërkon dhe i merr shtetases H. Ll., shumën prej 1 000 Euro, si shpërblim për të pushuar çështjen penale në ngarkim të djalit të saj, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Nga kryerja e veprimeve të para hetimore rezultoi se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetësja A.D., me detyrë Oficere e Policisë Gjyqësore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, ka konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.
Hetimet për këtë procedim penal vazhdojnë me administrimin e provave të tjera për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Prokuroria e Posaçme falënderon programin Fiks Fare në TV Top Channel për sensibilizimin e opinionit publik ndaj këtij akti korruptiv dhe fton qytetarët dhe median për të denoncuar pranë institucionit tonë çdo veprim apo akt korruptiv me të cilin ata mund të ballafaqohen ose ndeshen.