Një shitës ushqimesh tradicionale, i cili është bërë shumë i njohur në rrjetet sociale në Vietnam, është dënuar me 5 vite e 6 muaj burg nën akuzën e propagandës kundër qeverisë. Bui Tuan Lam, i cili u bë i famshëm për imitimin e kuzhinierit të njohur turk Salt Bae, u arrestua pasi ironizoi një ndër ministrat më të fuqishëm të qeverisë vietnameze, i cili u filmua teksa hante një biftek të mbuluar me flori.
Procesi gjyqësor dhe dhënia e vendimit për 39-vjeçarin zgjati vetëm një ditë. Para pak ditësh, videoja e ministrit të Sigurisë Publike që hante një biftek 2000 dollarësh shkaktoi zemërim online dhe shumë njerëz kërkuan dorëheqjen e tij. Sipas kritikëve, zyrtari i lartë komunist ishte duke konsumuar një pjatë të veçantë që kushtonte më shumë se rroga e tij mujore.
Rikujtojmë, se një shef kuzhine në Angli është bërë i famshëm duke imituar mënyrën e kriposjes së kuzhinierit turk Nusret. Restoranti i tij në Oldham ka fituar më shumë se 20 000 ndjekës në TikTok, që kur shefi kopjoi të mirënjohurin Salt Bae. Razu Kamali, i cili në rrjetet sociale tani njihet si “Salt Bahi”, zakonisht del në video me doreza të zeza dhe syze, njësoj si Nusreti. Një nga videot e tij është e shoqëruar me shkrimin “Salt Bahi i vetëm që ju duhet në jetë”.