Policia e Tiranës arreston këngëtaren Ruenca Haxhiaj, e njohur me emrin si Enca nën akuzën e kultivimit të lëndëve narkotike. Efektivët e Komisariatit nr. 1 pasi morën informacione, ushtruan kontroll në banesën e kësaj të fundit ku në ballkon gjeti 5 vazo të mbjella me kanabis të mëdha. Pas arrestimit, këngëtarja ka thënë se është përdoruese dhe e ka për përdorim vetjak. Bashkë me të është kapur dhe i dashuri i Encës. Banesa e këngëtares ndodhet në afërsi të TEG në një vilë private.
Në Shqipëri kultivimi i bimëve, që shërbejnë ose dihet se shërbejnë për prodhimin dhe nxjerrjen e lëndëve narkotike dhe psikotrope, pa leje dhe autorizim sipas ligjit, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet. Kjo vepër kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.
Njoftimi i Policisë Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Balcony”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.
Kishte kultivuar bimë narkotike, në vazo, në ballkonin e banesës së saj, vihet në pranga 27-vjeçarja.
Sekuestrohen bimët narkotike.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetase kishte kultivuar bimë narkotike, në ballkonin e banesës së saj, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Balcony”.
Si rezultat i këtij operacioni u vu në pranga shtetasja R. H., 27 vjeçe, banuese në Lundër.
Gjatë kontrollit në banesën e 27-vjeçares, në ballkon, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bimë të dyshuara narkotike kanabis, të kultivuara në vazo.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.